Të drejtat e komuniteteve të vogla, ekzistojnë ligje, nuk zbatohen në praktikë
Kornizë e shkëlqyer ligjore për komunitetet...

Kornizë e shkëlqyer ligjore për komunitetet, por zbatim i dobët në realizimin e të drejtave të komuniteteve të vogla në vend. Ky ishte konstatimi i pjesëmarrësve në Forumin me temën "Roli i komuniteteve minoritare në forcimin e kohezionit social" i organizuar nga Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.
Drejtori i kësaj Agjencie, Dalibor Kitanoviq, thekson se angazhimi për këtë çështje është i dukshëm dhe shton se aktualisht ka edhe një ministri që shërben për këtë qëllim.
“Përballemi me probleme të implementimit të ligjeve dhe kemi vendosur të flasim dhe të përpiqemi për ta përmirësuar këtë. Ligji duhet të zbatohet dhe jo vetëm të shkruhet. Aktualisht në vendin tonë pas një kohë të gjatë janë krijuar kushte për rritjen e vetëdijes dhe mbështetjen e komuniteteve pakicë, të cilat janë në kompetencën e Ministrisë së Marrëdhënieve mes Bashkësive dhe koha është që ta shfrytëzojmë këtë periudhë dhe t’i mbështesim, sepse këto komunitete nuk munden vetëm dhe duhet bashkërisht të ndërtojmë besim që Maqedonia është vend i të gjithë qytetarëve.”, - deklaroi Dalibor Kitanoviq nga Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve.
Komunitetet më të vogla etnike në vend janë diku mbi 10 për qind dhe po përballen me spektër të gjerë të sfidave, mes të cilave edhe mungesën e përfaqësimit. Sipas sondazheve, komunitetet më të margjinalizuara janë komuniteti rom, vlleh dhe boshnjak.
“Kur flasim për pakicë, nuk do të thotë që ata kanë më pak vlerë në kontributin e tyre ose rëndësinë e tyre në ndërtimin e kohezionit social. Një gjë duhet ta kemi të qartë, që të ndërtohet shteti mbi baza të drejtësisë, duhet t’i marrë parasysh zërat e të gjitha bashkësive që janë pjesë e shtetit, duke mos i anashkaluar komunitetet pakicë.”, - theksoi koordinatori kombëtar i Politikave për Komunitetet Pakicë, Jashe Sefer.
Kjo nuk është më çështje e mungesës së kuadrove, thotë koordinatori nacional për politikat ndaj komuniteteve pakicë, Abaz Selmani, dhe shton se interkulturalizmi duhet të jetë prioritet i shtetit.
Forumi është organizuar për të identifikuar të gjitha mangësitë në këtë fushë, të cilat janë evidentuar dhe do t’i paraqiten autoriteteve për të ndërmarrë veprime konkrete. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
