Kuvendi i Kosovës, dështoi për të 23-tën herë seanca konstituive

29.05.2025 15:45

Edhe vazhdimi i 23-të nuk ishte i mjaftueshëm...

Edhe vazhdimi i 23-të nuk ishte i mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish gjithçka ishte e njëjtë, kryesuesi i seancës propozoi të kalohet në votim të fshehtë, por opozita nuk votoi dhe në mungesë të kuorumit, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën për ta caktuar vazhdimin e saj pas 48 orësh.

Pas ndërprerjes së seancës, edhe akuzat e partive ishin të njëjta me ato të ditëve tjera. Vetëvendosje i akuzoi partitë opozitare për bllokadën, por ato fajin e shohin te partia në pushtet.

“Në lidhje me konstituimin e Kuvendit do të parafrazoj deklarimin e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili dje tha se më e keqe se bllokada do të ishte formimi i Qeverisë Kurti. Edhe unë e përgëzoj atë fort për këtë deklaratë, sepse më në fund i dha opinionit publik të gjitha arsyet edhe boshtin e obstruksionit të konstituimit të Kuvendit.”, - deklaroi Armend Muja nga Lëviza Vetëvendosje.                                              

“Kanë kaluar një muaj e gjysmë prej kur ka filluar tentimi për të konstituuar Kuvendin dhe mbi tre muaj e gjysmë prej kur janë mbajtur zgjedhjet. Fatkeqësisht bllokada e iniciuar dhe e mundësuar nga Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon në Kuvendin e Kosovës.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Po punojmë tre minuta dhe kemi pauzë 48 orë dhe kjo është përgjegjësi e partisë së parë që ka dal e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.”, - u shpreh Hikmete Bajrami nga LDK.                                                                             

Derisa partitë e mëdha akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën, partitë e vogla si Nisma e Fatmir Limajt dhe ato të minoriteteve, si ajo e deputetes boshnjake, Dule Balje, përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga kjo situatë.

“Po, kemi pirë kafe me Glaukun dhe mirë shumë. Kemi folur për të gjitha temat, kemi folur edhe për atë se si të vijmë deri te një marrëveshje. Kemi biseduar edhe me kryetarin e LDK-së, e kemi lënë të takohemi të bashkëbisedojmë.”, - deklaroi Fatmir Limaj nga Nisma.                                                                                 

“Secili prej neve vet jemi duke vendosur në cilin grup jemi. Unë momentalisht jam e pavarur dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi parlamentar. Kështu do të jetë deri në momentin e formimit të Kuvendit ose Qeverisë, më pas do të vendosim.”, - theksoi Dude Balje nga Unioni Social Demokrat.                                               

Siç bëri të ditur kryesuesi i seancës konstituive, vazhdimi i 24-të i kësaj seance do të mbahet më 31 maj në ora 10:30. (Gyltene Sinani, TVM2)