Masat për rritjen e punësimit në vitin 2025, Miteva: Mbështetje për vende të reja të punës

29.05.2025 15:57

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva..

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, sot dha detaje rreth masave që parashihen me Planin Operativ për Punësim për vitin 2025. Sipas saj, plani ka për qëllim nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës.

Ajo bëri të ditur se Plani përfshin dy masa kryesore që synojnë përfshirjen më të madhe të qytetarëve në programe për punësim dhe zhvillim të aftësive profesionale.

“Për personat e papunë deri në moshën 29 vjeç, sipas projeksioneve, do të përfshihen 720 persona me një shumë financiare prej 615.000 denarësh si mjete të pakthyeshme. Kategoria e dytë janë personat e papunë mbi moshën 29 vjeç, e cila përfshin 610 persona, me një shumë prej 430.000 denarë si mjete të pakthyeshme. Më tej kalojmë te mbështetja për punësim përmes bashkimit në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me të cilën parashikohet të përfshihen 400 persona.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Kjo masë synon përfshirjen e 1.570 personave të rinj në tregun e punës. Një segment tjetër i rëndësishëm i planit është edhe mbështetja për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

LSDM: Një valë e re punësimesh partiake

Ndërkohë LSDM-ja opozitare Planin operativ e sheh një një valë të re të punësimeve partiake nga VMRO-DPMNE.

“Plani operativ për punësim që e prezantoi Qeveria e VMRO-DPMNE-së është vetëm një mbulesë, një fasadë për një valë të re të punësimeve partiake dhe asgjë më shumë. Në vend që të jetë një strategji për hapjen e vendeve të reja të punës dhe mbështetje për të rinjtë dhe të papunët afatgjatë, pushteti po zbaton një seri të re të punësimeve partiake sipas listës. VMRO-DPMNE e ka kthyer Maqedoninë në një firmë private për punësime familjare të të afërmve të funksionarëve të pushtetit.”, thuhet në reagimin e LSDM-së. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)