Pyetje deputetësh, Spasovski i drejtohet ekzekutivit për integrimin, Koçanin dhe ndërtimet pa leje

29.05.2025 16:38

Procesi eurointegrues, mjetet е ndara për tragjedinë në Koçan...

Procesi eurointegrues, mjetet е ndara për tragjedinë në Koçan dhe ndërtimet pa leje në Çair, ishin në fokusin seancës kuvendore të rezervuar për pyetje deputetësh. Koordinatori i LSDM-së, Oliver Spasovski, kërkoi përgjigje për procesin eurointegrues, të ndahen detaje se cilat janë pritshmëritë, cilat janë rreziqet dhe se a ka përparim në këtë drejtim.

“Të shohim se cilat janë pritshmëritë e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, që kanë të bëjnë me këtë temë dhe të kemi një prezantim, pasi është e rëndësishme për të gjithë ne se a do të kemi përparim, nëse po ose jo, dhe nëse po të shohim se cilat janë këto skenare të reja, të cilat janë propozuar.”, - deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.

Mickoski: Pa maqedonas në Bullgari, jo ndryshime kushtetuese

Kryeministri Hristian Mickoski tha se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa praninë e maqedonasve në Komitetin bullgar për pakicat.

“Në Bullgari ekziston një komunitet që përfshin përfaqësues të pakicave rome, turke dhe armene dhe a nuk e meritojmë ne maqedonasit, që kemi 14 vendime në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, një vend në atë komitet dhe ata e meritojnë një vend në Preambulën tonë? Derisa të shoh atje një maqedonas që është pjesë e atij komiteti, dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë, nuk do të lëviz asnjë milimetër për sa kohë që jam kryeministër i kësaj Qeverie.", - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski.

Ilire Dauti nga Fronti Evropian pyeti kryeministrin, Hristian Mickoski, për përjashtimin diskriminues të diasporës nga zgjedhjet. Ajo kërkoi të tërhiqet ligji i nëntorit të kaluar dhe të shpallet i pavlefshëm.

“Pse duhet të qëndrojë në Ligjin për vetëqeverisje lokale neni që parashikon uljen e numrit të këshilltarëve, siç janë qytetarët nga diaspora që punojnë përkohësisht ose jetojnë jashtë shtetit? Mendoj se sa më shpejt ai projektligj duhet të tërhiqet nga procedura dhe vendimi të shpallet i pavlefshëm.”, - u shpreh deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti.

Sipas kryeministrit, ndryshimet synojnë të përshtaten me zgjedhjet e kryetarëve dhe këshilltarëve.

“Ju ftoj të gjithë së bashku të ndryshojmë Kodin Zgjedhor, të krijojmë një njësi zgjedhore ku diaspora të mund të votojë dhe të formohen vendvotime në vendet, ku sipas Kushtetutës lejohen jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski.

Dauti kërkoi legalizimin e shkollës në Nerovë, për shkak të kushteve të këqija. Mickoski pranoi të ndihmojë, por vetëm në mënyrë ligjore, pasi siç tha, objekti është ndërtuar pa leje. (Armend Murseli, TVM2)