Ganiu i drejtohet Arsovskës: Çairi po ngulfatet nga mbeturinat
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu...

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, ngriti alarmin për situatën shqetësuese me mosmenaxhimin e mbeturinave dhe shërbimeve publike në Çair, duke theksuar se qytetarët janë të rrezikuar nga përhapja e epidemive.
“Çairi është shtëpi me mbi 60 mijë banorë, fëmijë e të rritur, familje që presin kushte bazike për jetë, e jo luks. Fatkeqësisht këto kushte janë vënë në pikëpyetje, asnjë nga shërbimet bazike në kompetencë të qytetit të Shkupit dhe që prekin qytetarët e komunës së Çairit nuk po realizohen. Është alarmante që në shekullin XXI në kohë me lagështi dhe temperatura të larta të mbytemi në mbeturina, të kemi frikë nga përhapja e epidemive.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ganiu, akuza edhe BDI-së për mospajtimet me Arsovskën
Ganiu i bëri thirrje kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, që të mos lejojë të përdoret nga strukturat e BDI-së dhe të angazhojë urgjentisht NP “Higjiena Komunale” për pastrimin e mbeturinave në Çair.
“Komuna e Çairit nuk ka borxhe ndaj qytetetit, nëse pretendoni të kundërtën ju inkurajoj të dërgoni përmbarues dhe ta sqaroni të vërtetën në gjykatë.”, - theksoi kryetari i Çairit, Visar Ganiu.
Ai kritikoi edhe Arsovskën dhe BDI-në për fushatë politike në kurriz të qytetarëve të Çairit.
“Zonja Arsovska, zotëri Osmani, zotëri Bexheti, pyetja është e thjeshtë, a do ta ndihmoni Çairin apo do ta mbani peng në betejat e juaja partiake?! Historia do ta shkruaj vendimin tuaj.”, - u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ganiu një ditë më parë i shoqëruar nga qytetarë të Çairit dërguan një sasi mbeturinash para ndërtesës së qytetit të Shkupit në shenjë revolte me mospastrimin e mbeturinave në Çair.
Ndërsa, Arsovska ditë më parë e akuzoi Ganiun për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje me dokumente të falsifikuara, gjë që është hedhur poshtë nga Ganiu. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
