‘Përplasja’ Arsovska – Ganiu, Mexhiti: Arsovska, instrument i skenarit të BDI-së
Kryetarja e qytetit të Shkupit rrezikon padinë...

Kryetarja e qytetit të Shkupit rrezikon padinë pas përplasjes së fundit me kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu. Paralajmërimi vjen nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, sipas të cilit, Arsovska në këtë mes është instrumentalizuar nga Blerim Bexheti i BDI-së, si pjesë e skenarit të integristëve për të goditur komunat për interesa politike.
Mexhiti duke ironizuar aktivizimin e Arsovskës në fund të mandatit, fton që t’i kthejë sytë kah të pa bëmat e saj në komunën e Çairit, si dhe shkeljet ligjore.
“Për atë që ajo thotë në pres janë shpifje dhe për atë do të merr padi. Kjo është një strategji e fundit e Ahmetit për destabilizim të vendit, kësaj radhe nëpërmjet komunave dhe fatkeqësisht në bashkëpunim me “Të Majtën” dhe me Danella Arsovskën. Më vjen keq për Danellën se është bërë instrument i Blerimit. Mirë që ka dalë në Çair, mirë është që edhe në Saraj të shohë ndërtimet e egra, mirë është që të shohë edhe ndërmarrjet publike që janë para bankrotit, ta sheh edhe ujësjellësin, ndërmarrjen më të suksesshme dikur në Maqedoni, që sot është para bankrotit. Është mirë të japë përgjigje për kontratën për djalin e Blerim Bexhetit, për shërbime intelektuale në ndërmarrjen e higjienës komunale, ai i ka vetëm 17 vjet. Këto janë arsyet përse e kemi higjienën dhe qytetin në këtë gjendje.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
BDI: Çairi, i përfshirë në krim urban
Por, integristët fajësojnë komunën për ngulfatjen në gërmadha të mbeturinave. Madje partia e Ahmetit mbështet pretendimet e Arsovskës, se në hapësirat e gjelbra të komunës së Çairit janë ngritur pallate ilegale.
“Për vite me radhë, mijëra metra katrorë gjelbërim janë zhdukur për t’i hapur rrugë ndërtimeve të paligjshme dhe korruptive. Kjo komunë, ndër më të dendurat në Evropë, është bërë një nga më të ndoturat dhe më të pabanueshmet në vend. Zbulimet e fundit për qindra ndërtesa të ndërtuara mbi dokumente të falsifikuara, të ekspozuara publikisht, tregojnë për përmasat e skandalit dhe rrezikun real që iu kanoset jetës së banorëve.”, thonë nga BDI.
BDI paralajmëron kthesën në zgjedhjet lokale. Megjithatë sipas zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, komuna e Çairit ka realizuar projekte të cilat i kanë takuar qytetit të Shkupit, sikurse ato të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Madje, sipas tij, Arsovska nuk ka realizuar as mega-parkun e premtuar në Çair. (Meral Ismaili, TVM2)
