Palnikaj: Historia shqiptare rrezikon të mbetet e heshtur
Mark Palnikaj, një studiues shqiptar nga Shqipëria...

Mark Palnikaj, një studiues shqiptar nga Shqipëria, ka qëndruar sot në Tetovë ku ka zbuluar dokumentet që i ka sjell nga arkivat sekrete të Vatikanit dhe nga shumë arkiva tjera botërore për gjuhën dhe historinë e popullit shqiptar.
“Në Tetovë e kemi Mark Palnikajn, një studiues i historisë i gjuhës, i cili ka qasje edhe në arkivat sekret të Vatikanit, ku ka zbuluar njohuri të reja për gjuhën shqipe, shkollat shqipe Skënderbeun.”, - theksoi profesori, Izmit Kurtishi.
Studiuesi dhe botuesi, Mark Palnikaj, tha se dokumentet e gjetura nëse nuk botohen ngelin të vdekura. Ai akuzoi institucionet shqiptare dhe të Kosovës që nuk bëjnë mjaftueshëm për t’i botuar dokumentet e gjetura.
“Unë kam qenë në arkivat sekrete të Vatikanit, dokumente shumë interesante për dioqezën e Shkupit, një relacion nga viti 1670 me 25 faqe të Pjetër Bogdanit. Aty shkruan se dioqeza e Shkupit si e ka pasur emrin lumi, si ka qenë Shkupi dhe si është tjetërsuar dhe dioqezën e Ohrit. Ato dokumente janë të vdekura, në qoftë se nuk publikohen, nëse nuk i marrin shqiptarët për t’i komentuar, atëherë është gjë e vdekur, nuk vlejnë. Rreth 6.000 faqe janë bërë për Kosovën e nuk kanë ardhur të interesohen. Unë do të botoj një volum rreth 700-800 faqe, por janë një fije floku nga ajo që ka. Institucionet e Kosovës nuk po bëjnë. Për Maqedoninë nuk i akuzoj, pasi në Maqedoni ka shumë shqiptar, por nuk e kanë shtetin në dorë.”, - u shpreh studiuesi, Mark Palnikaj.
Palnikaj tha se studiuesit shqiptarë nuk janë shumë të interesuar për të punuar për të kundërshtuar propagandën e popujve fqinjë, pasi ne shqiptarët jemi këtu shumë shekuj me parë se popujt tjerë. (Visar Sadiku, TVM2)
