Uashington, Mucunski takohet me Rubio

29.05.2025 19:49

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski...

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi sot në Uashington një takim dypalësh me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve, i cili bazohet në vlera të përbashkëta, interesa politike dhe miqësi të gjatë.

Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, me sigurimin se partneriteti strategjik do të vazhdojë të zhvillohet me dinamikë edhe më të madhe dhe rezultate konkrete, në nivel dypalësh, rajonal dhe global.

“Në frymën e partneritetit të forcuar, mbështetja e SHBA-së vazhdon me intensitet të shtuar, veçanërisht në proceset e reformave, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Në një kohë sfidash komplekse të sigurisë me të cilat përballet bota, arritëm në përfundimin se është thelbësore të vazhdojmë të punojmë për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në nivel global” – u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së, Timço Mucunski.