OKB: Situata në Gazë, e padëshirueshme
Të paktën 54 palestinezë janë vrarë...

Të paktën 54 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gazë. Mbrojtja Civile e Gazës tha se shumica e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Ambasadori palestinez në OKB, Rijad Mansur, tha se situata në Gazë është e padurueshme.
"Imazhet e nënave që përqafojnë trupat e tyre të palëvizshëm, duke u përkëdhelur flokët, duke folur me ta, duke u kërkuar falje. Është e padurueshme. Si mund ta bëjë dikush këtë? Më falni, z. president. Kam nipër e mbesa. E di se çfarë nënkupton kjo për familjet e tyre? Duhet ta shohim situatën e palestinezëve. Pra, ne që kemi zemra duhet të bëjmë diçka, është përtej aftësisë së çdo qenieje normale njerëzore për ta toleruar.", - deklaroi përfaqësuesi i Palestinës në OKB, Rijad Mansur.
Thirrje për armëpushim dhe ndihma humanitare
Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Deni Danon, thotë se OKB-ja me kritikat që adreson ndaj Izraelit për gjenocid, nuk angazhohet për evokim, por për nxitjen e urrejtjes ndaj hebrenjve.
Ai u shpreh se Izraeli ka lehtësuar ndihmën humanitare në Gazë.
“Ndërsa flasim, ka më shumë se 400 kamionë tashmë në anën tjetër të gardhit që presin të shpërndahen. Por, OKB-ja nuk ka arritur t'i marrë ato. Ne hapëm kalimet. Ne siguruam rrugë të sigurta për ato kamionë, por OKB-ja nuk u shfaq. Pra, më lejoni të jem i qartë, OKB-ja duhet të ndalojë përhapjen e panikut dhe të fillojë të lëvizë ndihmën. Lëreni egon tuaj mënjanë, merrni ndihmën dhe bëni punën tuaj.”, - theksoi ambasadori i Izraelit në OKB, Deni Danon.
Nga OKB-ja thonë se përfaqësuesit e tyre në Gazë janë në rrezik të vazhdueshëm.
“Dhjetëra njerëz u raportuan të qëlluar dhe të plagosur ndërsa përpiqeshin të hynin në furnizime të administruara përmes një skeme shpërndarjeje të zhvilluar rishtazi të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës. Kolegët tanë që janë në Gazë, vazhdojnë të vënë në rrezik jetën e tyre, jo ne, ata po vazhdojnë të vënë në rrezik, duke u përpjekur të marrin ndihmat nga i vetmi vendkalim që është i hapur.”, - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
Izraeli, pasi lejoi të futen ndihmat humanitare, ka shtuar sulmet intensive në të gjithë Rripin e Gazës. Zona më e goditur ditëve të fundit ka qenë qyteti Kan Junis. (Abibe Qaili, TVM2)
