Rritet numri i të pastrehëve, kanë nevojë më të madhe për mbështetje
Në rrugët e qyteteve tona, mes zhurmës së përditshme....

Në rrugët e qyteteve tona, mes zhurmës së përditshme dhe indiferencës së kalimtarëve, jetojnë fëmijë që nuk njohin ngrohtësinë e një shtëpie apo përkujdesjen e një familjeje. Të braktisur nga familja, të pastrehë dhe të pambrojtur, këta fëmijë përballen çdo ditë me urinë, të ftohtit dhe mungesën e sigurisë, duke u përpjekur të mbijetojnë në një botë që shpesh i sheh, por rrallë i dëgjon. Por, jo çdo fëmijë ka një mundësi dhe privilegj të rritet në ambient familjar, ashtu siç e meriton.
Familjet kujdestare janë dritë në fund të tunelit për këta fëmijë. Një shans i ri për një shtëpi të ngrohtë me plot dashuri.
“Heronj! Ata gjithashtu janë prindër dhe nëna e baba siç jemi dhe ne, megjithatë kanë zemër të madhe dhe vullnet të madh, pjesën e dashurisë së tyre dhe shtëpisë së tyre të ngrohtë, t’ua ofrojnë ndonjë fëmije që iu mungon dashuria dhe mbështetja prindërore.”, - deklaroi drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijëve të Pastrehë, Rozeta Vllahoviq.
Të ndërtojmë një sistem më të mirë dhe më efikas për të ndihmuar dhe mbështetur fëmijët, tha ministri i Politikës Sociale.
“Siç e shoh ka iniciativë për këtë përkrahje. Kemi shembuj të shumtë që mund t’i sjellim edhe në Maqedoni prej vendeve tjera, shembuj shumë pozitiv. Veç më është krijuar grupi punues në kuadër të ministrisë, që diçka që deri më tani nuk është bërë ose diçka që ka pasur lëshim, të mund ta bëjmë tani për mbështetje të fëmijëve të pastrehë.”, - theksoi zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Vellkov.
“Për fat të keq, akoma ka fëmijë që nuk janë adaptuar. Synimi ynë kryesor është që në çdo komunë të bëjmë prezantimin tonë se cilat do të ishin përfitimet e fëmijëve të pastrehë nga kjo iniciativë që e kemi ndërmarrë, të ngremë vetëdijen tek qytetarët tanë për t’u dalë në ndihmë kësaj kategorie të fëmijëve në nevojë.”, - u shpreh Orce Gjeorgjievski nga Bashkësia e Njësisë për Bashkëqeverisje Lokale.
Vitin e kaluar janë paraqitur 120 prindër kujdestarë, këtë vit 182 familje dhe 320 fëmijë që kanë qenë nën mëshirën e prindërve kujdestarë. (Fitore Demolli, TVM2)
