Bislimi: Kosova ka nevojë për Kuvend dhe Qeveri fuqiplote

30.05.2025 16:37

Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar...

Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar që sa më parë të bëhet konstituimi i Kuvendit, pasi Kosova ka nevojë për Kuvend dhe Qeveri fuqiplote, thotë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, për Dojçe Vele.

Por, megjithëse më 31 maj do të mbahet vazhdimi i 24-të i seancës konstituive, Bislimi thotë se kjo nuk është as gjysma e vonesave të konstituimit të Kuvendit në vitin 2014.

“Kemi një armatë opinionistësh që vërshojnë televizionet me kritika me përhapje të frikës dhe panikut, por në fakt ne ende jemi as te gjysma e vonesave që kemi pasur në vitin 2014, por atëherë nuk ka pasur kurrfarë paniku. Kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi të interesuar ta përfundojmë këtë proces sa më parë. Ne na duhet një Kuvend fuqiplotë që do ta ratifikonte, jo vetëm planin e rritjes që e kemi dakorduar me BE-në, por edhe ato iniciativa ligjore që derivojnë nga vet zbatimi i planit të rritjes. Na duhet një Qeveri fuqiplotë, e cila do t’i shtynte iniciativat e reja të obligimeve nga raportet me BE-në.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Bislimi, ashtu si edhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, fajin për konstituimin e Kuvendit e sheh te partitë opozitare, të cilat nuk kanë votuar kandidaten Albulena Haxhiu për kryeparlamentare, e as nuk kanë pranuar të kalohet në votim të fshehtë.

Por, derisa Vetëvendosje insiston në kandidaturën e Haxhiut, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, kërkojnë ndryshimin e kandidates për kryeparlamentare, si dhe të vazhdohet seanca konstituive me votim publik, pasi sipas tyre nuk mund të ndryshohet mënyra e votimit në mes të seancës.

Ndërkohë, ambasadorët e BE-së, Gjermanisë, Britanisë dhe vendeve tjera evropiane, kanë apeluar që sa më parë të bëhet konstituimi i institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)