Nesër, mbi 15.000 maturantë do të japin provimin e parë nga dy provimet eksterne
Mbi 15.000 nxënës, të cilët këtë vit kanë përfunduar shkollimin e mesëm...

Mbi 15.000 nxënës, të cilët këtë vit kanë përfunduar shkollimin e mesëm, do t’i nënshtrohen dy testimeve eksterne. Provimi i parë është caktuar për ditën e shtunë 31 maj 2025, dhe i njëjti do të jetë nga lënda gjuhë amtare dhe letërsi, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët.
Sipas të dhënave nga Qendra Shtetërore e Provimeve, këtë vit mbi 8.800 nxënës nga shkollat e mesme profesionale, rreth 6.000 nga shkollat e mesme dhe 222 nga shkollat e arteve janë regjistruar për provimin e maturës shtetërore. 9.969 nxënës janë regjistruar për provimin e parë ekstern për gjuhën maqedonase, 4.339 për gjuhën shqipe, 292 për gjuhën turke dhe 10 nxënës për gjuhën serbe.
Provimi i dytë ekstern, i cili është opsional për nxënësit, do të jepet më 11 qershor.
Pjesa dërmuese e nxënësve apo më mirë thënë plotë 13.457 nxënës kanë vendosur që kjo të jetë gjuha angleze, 1.246 nxënës testin e matematikës, 73 do të japin testin e gjuhës gjermane, 24 testin e gjuhës frënge, 62 testin e estetikës, 7 për testin e filozofisë, 4 për testin e gjuhës ruse dhe 3 për testin e gjuhës italiane.
“Testet të shtunën në mëngjes herët do të dërgohen në vendet ku nxënësit do t’i nënshtrohen testimit, pastaj të njëjtat i dorëzohen, komisionit shkollor për maturantët dhe nga ky moment, ky komision do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të testimit ekstern.”, - deklaroi drejtoresha e QShP-së, Daniela Jovçevska Mihajlovska.
Nga Qendra Shtetërore e Provimeve kanë theksuar se testimi do të kryhet.
“Në përputhshmëri me hapësirat ekzistuese, të cilat i kanë shkollat, matura do të realizohet në salla të gjëra, salla sportive ose korridore. Kur ka filluar të realizohet matura shtetërore, fillimisht e njëjta realizohej në hapësira të mëdha, pastaj u drejtuan që të mbahen në hapësira më të vogla, por vitin e kaluar prapë është kthyer rregulli që testimi ekstern të mbahet në hapësira të mëdha ose në sallat e edukatës fizike, në holle dhe në hapësirat e universiteteve. Dallimi është këtu se këtë vit janë përfshirë më shumë universitete.”, - theksoi drejtoresha e QShP-së, Daniela Jovçevska Mihajlovska.
Këtë vit janë angazhuar 2.000 testues për të kontrolluar procesin. Për ata që nuk do të jenë në gjendje të kalojnë në qershor, ka një sesion të gushtit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
