Avokati i Popullit: Fëmijë nën 5 vjeç në RMV, të varur nga droga
Fëmija më i vogël i regjistruar si përdorues i drogës...

Fëmija më i vogël i regjistruar si përdorues i drogës në Maqedoninë e Veriut është më i vogël se 5 vjeç.
Kështu bëri të ditur Vaska Bajramovska - Mustafa, udhëheqëse e Sektorit për të Drejtat e Fëmijëve në institucionin e Avokatit të Popullit, duke prezantuar rezultatet e hulumtimit për gjendjen e fëmijëve shfrytëzues të drogave dhe substancave psikotropike, i realizuar me mbështetjen e BE-së për sundimin e ligjit.
“Institucioni shëndetësor që na i ka dhënë informacionet për vitin 2023 thekson se njëri nga shfrytëzuesit kishte më pak se 6 vjet. Ndërsa nëse kthehemi nga viti 2017, raporti kur i grumbullonim informacionet për vitin 2018, ishin dëshpëruese të dhënat që I morëm nga HOPS, opsione për jetë të shëndetshme, ku fëmijë I moshës 4 apo 5 vite ishe shfrytëzues i drogës herion.”, - deklaroi Vaska Bajramovska Mustafa nga Institucioni Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit: Më shumë përdorues të drogës, në Shkup e Tetovë
Fëmijët konsumojnë më së shpeshti marihuanë, amfetaminë, ekstazë, por janë regjistruar raste edhe me kokainë dhe heroinë. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë institucion të specializuar për trajtim dhe rehabilitim të fëmijëve përdorues të drogave dhe substancave psikotrope, thotë Bajramovska Mustafa.
“Fëmijë shfrytëzues të drogave janë regjistruar në gjithsej 5 qendra për punë sociale, edhe atë në Shkup, Tetovë, Ohër, Gostivar dhe Shën Nikollë, me ç’rast numër më të madh të fëmijëve shfrytëzues të drogës ka në Shkup dhe Tetovë.”, - theksoi Vaska Bajramovska Mustafa nga Institucioni Avokati i Popullit.
Nga institucioni Avokati i Popullit theksojnë se në vend mungojnë qendrat për parandalim, zbulim të hershëm, rehabilitim dhe mbështetje për fëmijët që përdorin substanca narkotike.
Bajramovska Mustafa njëherit bëri të ditur se rezultatet e hulumtimit do t’u dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, Qendrave për Punë Sociale, Klinikës për Fëmijë, MPB-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. (Abibe Qaili, TVM2)
