Maqedoni
Maqedonia i dorëzon Kosovës, listën e të arrestuarve në Kumanovë
13.05.2015 21:39
Autoritetet kosovare kanë marrë listën zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë me emrat e të arrestuarve nga Republika e Kosovës...

Këtë e bën të ditur për mediat e Kosovës, Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtë të Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas listës , janë 23 shtetas kosovarë të arrestuar në incidentin e armatosur në Kumanovë, por ende nuk ka asnjë konfirmim për shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur, edhe pse sot MPB zyrtarisht tregoi identitetin e dy personave të vdekur, shtetas të Kosovës.
“Dje kemi marrë një listë nga autoritetet maqedonase me emrat e 23 qytetarëve të Kosovës të cilët janë arrestuar në Kumanovë. Ambasada ka nisur menjëherë përpjekjet që së pari të vë kontakt nëse të arrestuarit kanë pranuar të kontaktohen nga ambasada , t’i shikojë nevojat e tyre, gjendjen shëndetësore, t’i njoftojë familjet e tyre dhe ta organizojë një vizitë familjare deri të premten. Zyrtarisht nuk kemi asnjë konfirmim për viktima nga Kosova në Kumanovë të Maqedonisë. Normalisht që jemi të gatshëm që veprojmë, të reagojmë. Kemi kontaktuar edhe autoritetet maqedonase dhe i kemi njoftuar se jemi të gatshëm për çdo rast të veprojmë në bazë të protokolleve dhe procedurave të parapara me ligj”, shtoi Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi,
Autoritetet kosovare janë duke bashkëpunuar me autoritetet e Maqedonisë për identifikimin e të arrestuarve dhe të viktimave.
