Integrimi i vendit, Sofja me rezolutë të re për RMV-në, vendi me lob në Bruksel për identitetin maqedonas

30.05.2025 17:30

Parlamenti bullgar miratoi një rezolutë të re...

Parlamenti bullgar miratoi një rezolutë të re për përparimin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rezoluta e dorëzuar nga Toshko Jordanovi dhe një grup deputetësh, thekson se Bullgaria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj konsensusit evropian të korrikut 2022 dhe u bën thirrje autoriteteve tona që të zbatojnë me përpikëri kushtet.

Asgjë thelbësore nuk do të ndodhë me Maqedoninë e Veriut nëse nuk i përmbush të gjitha marrëveshjet,  kanë thënë deputetët e fqinjit lindor.

Rezoluta bullgare miratohet në kohën kur kryeministri Mickoski bën thirrje, sidomos ndaj opozitës maqedonase që të lobojë në Bruksel  sa më shumë që të mundet  për të miratuar një Rezolutë që do të njihte gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Filipçe i përgjigjet pozitivisht thirrjes së Mickoskit, por ka dilema nëse kjo do të ishte e mjaftueshme për oponentin e tij politik për të vazhduar me procedurën e ndryshimeve kushtetuese.

“Unë dje kam biseduar me sekretarin e Partisë Socialiste Evropiane (PES), familjes së të cilës i përkasim, zotëri Filibek, për koordinimin. Sot ne vazhdojmë bisedimet, për të parë se çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrim, për të biseduar me eurodeputetët që i përkasin familjes sonë të demokratëve dhe socialistëve. Megjithatë ka një pyetje: Cili është qëllimi i kësaj deklarate dhe nëse do të pranohet përfundimisht, a do të jetë diçka që do të jetë një formë e mjaftueshme garancie për kryeministrin për të nisur procesin e ndryshimeve kushtetuese?”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Ndërkohë nga Qeveria thonë se kjo nuk është kërkesë personale, por një thirrje për të mirën e gjuhës dhe identitetin maqedonas.

“Këto janë kërkesa që referohen për të mirën e Maqedonisë, diçka që do të thotë njohje e identitetit dhe gjuhës maqedonase shumëshekullore. Kjo nuk duhet të shihet si kërkesë personale ndaj tyre, por si obligim që të bëjnë gjithçka që mundin në përkrahjen që kjo të votohet.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. 

Për analistët, nëse votohet kjo rezolutë është e mirëseardhur edhe pse nuk ka karakter obligativ.

“Është mirë të kemi dokument zyrtar, rezolutë që nuk është detyrues nga institucionet e BE-së. A do të hapë kjo rrugën për ndryshimet kushtetuese, mendoj se është një hap përpara, por a është i vetmi dhe i mjaftueshëm, nuk do të thoja.”, - u shpreh analisti, Marko Troshanovski.

Njohësi i proceseve eurointegruese, Marko Troshanovski, thotë se aktualisht është me rëndësi ruajtja e zgjerimit të BE-së nga bilateralizimi. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)