Plani operativ i Qeverisë, trajnim për gra dhe të rinj deri në 29 vjeç

30.05.2025 17:57

Qeveria edhe sot ka prezantuar Planin Operativ...

Qeveria edhe sot ka prezantuar Planin Operativ, i cili, siç potencuan do të zbatohet përmes nëntë masave strategjike, përfshirë trajnime për gra dhe të rinj deri në moshën 29 vjeç, brenda një afati prej 3 muajsh me një kompensim mujor prej 12.000 denarësh.

“Në kuadër të masës TRAJNIME, në këtë cikël parashikojmë që gjithsej të përfshihen mbi 2.000 persona, me profile të ndryshme mbështetjeje sipas nevojave të tyre, por edhe realiteteve të tregut. Do të filloj me trajnimin e parë që është i dedikuar për personat e papunë të regjistruar në Agjencinë për Punësim dhe ky trajnim do të zhvillohet te një punëdhënës konkret, në një vend pune konkret. Këtu përfshihen 245 persona. Prioritet kanë gratë, të rinjtë deri në moshën 29 vjeç dhe personat të papunë afatgjatë. Çdo pjesëmarrës do të marrë kompensim prej 12.000 denarësh në muaj gjatë trajnimit, i cili zgjat deri në 3 muaj.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Ndërsa trajnimi i dytë, sipas Mitevës, ka të bëjë me trajnime për profesionet që tashmë janë të kërkuara në tregun e punës.

“Unë personalisht do të doja të veçoj trajnimet që kanë të bëjnë me aftësi digjitale të avancuara dhe trajnimet në IT, të cilat ofrohen përmes programeve të licencuara. Nga dokumenti do të mund të shihni se për cilat trajnime bëhet fjalë, sa janë aktuale dhe të kërkuara në këtë periudhë nga shumë të rinj dhe qytetarë, dhe sa janë ato në të vërtetë barrë financiare për të rinjtë. Tani do të mund të përfshihen dhe t’i shfrytëzojnë këto trajnime 470 persona dhe çdo pjesëmarrës do të marrë një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht.”, - theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Që nga dita e enjte, Qeveria ka prezantuar Planin Operativ për Punësim 2025, me buxhet prej 40 milionë eurosh që synon përfshirjen e mbi 16.000 qytetarëve.

Plani përfshin nëntë masa strategjike, ku ndër kryesoret janë mbështetja për vetëpunësim dhe krijimi i vendeve të reja pune. (Armend Murseli, TVM2)