Tragjedia në Koçan, Prokuroria Publike ka përfunduar hetimin
Ka përfunduar hetimi për tragjedinë në Koçan...

Ka përfunduar hetimi për tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të lënduar. Në hetim kanë punuar 13 prokurorë nga Shkupi, Koçani, Shtipi dhe Kumanova, ndërsa 46 të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Janë grumbulluar prova materiale dhe dokumentacion, ekspertiza te detajuara autopsie dhe janë marrë në pyetje rreth 400 dëshmitarë dhe të dëmtuar.
"Me urdhër të prokurorëve publikë, nëpunës policor dhe hetues nga qendrat hetimore të Prokurorisë, në vendin e ngjarjes tragjike dhe në shumë lokacione të tjera, mblodhën prova materiale dhe dokumentacion që ishin objekt i ekspertizës. Janë siguruar ekspertiza të detajuara të autopsisë për shkaqet e vdekjes së secilit prej viktimave, si dhe për llojin dhe natyrën e plagëve të personave të lënduar. Janë përgatitur ekspertiza ndërtimore dhe kimike, me të cilën shqyrtohen rrethanat në vetë objektin, standardet e sigurisë, si dhe mënyrën e shfaqjes dhe përhapjes së zjarrit. Nga një numër i madh i pajisjeve elektronike (kompjuterë dhe telefona mobilë) janë nxjerrë dhe analizuar të dhëna, të cilat janë krahasuar me informacionet e tjera të mbledhura gjatë hetimit. Lidhur me funksionimin dhe operimin e klubit janë bërë verifikime nga Drejtoria e Policisë Financiare, sipas udhëzimeve të prokurorit publik.”, njoftoi Prokuroria Publike.
Siç është e paraparë me ligj, në 15 ditët e ardhshme, mbrojtja e të dyshuarve do të ketë mundësinë të shqyrtojë dhe analizojë provat për të cilën ngarkohen të akuzuarit në bazë të së cilës do të përgatisë mbrojtjen.
Pas kalimit të këtij afati, Prokuroria do të parashtrojë aktakuzë.
Në ndërkohë do të vazhdojë hetimi tjetër, i cili po zhvillohet në kuadër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku 14 zyrtarë policorë nga Shtipi e Koçani, dyshohet se kanë dhënë pëlqime se kabareja e djegur “Puls” i ka plotësuar kushtet ligjore për punë. (Florije Kamberi, TVM2)
