Kodi Zgjedhor, 1 njësi zgjedhore, Filipçe: Të hapur për bisedime

30.05.2025 19:25

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i hapur për të biseduar rreth propozimit të kryeministrit, Hristian Mickoski, për transformimin e procesit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, me përfshirjen edhe të diasporës.

Filipçe thotë se është gati për bisedime, por me një kusht që të flitet edhe për çështje të tjera zgjedhore.

“Jemi gati të bisedojmë për çfarëdo, megjithatë në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike, pasi që nuk bëhet fjalë vetëm për një njësi zgjedhore, por duhet të flitet edhe për çështjen e cenzusit, si dhe listat e hapura.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Edhe partia “E Majta” shkrirjen e njësive në një të vetme e shikon si një ndër prioritet e tyre. Por, mbetet të shihet se cila do të ishte qasja e partive shqiptare, qëndrimet e të cilave kanë qenë kundër një propozimi të tillë, pasi rrezikon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Parlament.

BDI kërkonte korrigjimin e pragut zgjedhor, ASh-ja propozonte 8 njësi zgjedhore, ndërkaq Lëvizja “Besa” - 3 njësi.  

Zgjedhjet lokale, OJQ-ja kërkon lista të pavarura këshilltarësh

Ndërkohë organizatat joqeveritare kërkojnë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të përfshijnë edhe lista të pavarura të kandidatëve për këshilltarë në komuna.

Ato kërkojnë që kandidatët e listave të pavarura të kandidojnë me 50 nënshkrime të grumbulluara.

“Mundësia për lista të pavarura për këshilltarë duhet të jetë e hapur, e jo të mbyllet. Tani kjo varet nga interpretimi i ligjit nga Kuvendi, nga KShZ-ja, të cilët në fund mund të thonë: shikoni ne ndryshe e interpretojmë ligjin dhe nuk do të pranojmë kërkesat tuaja për zgjedhjet lokale.”, - theksoi Goran Jovanovski nga OJQ “Qytet i gjelbër dhe human”.

Pushteti, i përmbajtur për propozimin e iniciativave qytetare.

 “50 nënshkrime janë pak për kandidatura në zgjedhjet lokale. Konsideroj se të drejtën për kandidaturë duhet të marrë një kandidat, i cili ka pasur më së paku 500 ose 1 mijë nënshkrime të grumbulluara nga banorët e një vendbanimi.”, - u shpreh deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Sali.

“Unë si deputet nuk kam marrë një kërkesë të tillë. Kur ta marrim, ne si grup parlamentar do të konsultohemi dhe do të dalim me qëndrim.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jane Micevski.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mickoski propozoi 1 njësi

Por, kryeministri Mickoski me propozimin e tij për një njësi zgjedhore, tha të lihet anash çështja e këshilltarëve, sepse diku është ulur apo rritur si pasojë e mosmarrjes në konsideratë të votës jorezidente.

Maqedonia e Veriut e ndarë në 6 njësi zgjedhore, deri më tani ka nxjerrë deputetë me vota jo të barabarta, 6 mijë apo 9 mijë vota të grumbulluara për një mandat deputeti, varësisht nga numri i zgjedhësve në një zonë të caktuar. (Meral Ismaili, TVM2)