Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, Turqia negocion mes palëve për arritjen e paqes

30.05.2025 19:55

Vazhdojnë bisedimet në Stamboll për arritjen e paqes në Ukrainë....

Vazhdojnë bisedimet në Stamboll për arritjen e paqes në Ukrainë. Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Andri Sybiha, riafirmoi vendosmërinë e vendit për t'i dhënë fund luftës deri në fund të këtij viti dhe shprehu mirënjohje ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ndaj përpjekjeve të paqes në Ukrainë.

Kjo u tha gjatë takimit me homologun e tij turk, Hakan Fidan, në Turqi, i cili sapo ishte kthyer nga Moska për të ndërmjetësuar mes palëve.

Homologët biseduan në detaje procesin e paqes, nevojën për një armëpushim të plotë, lirimin e të burgosurve dhe çështje të tjera humanitare.

"Ukraina kërkon t'i japë fund kësaj lufte këtë vit. Fatkeqësisht, lufta vazhdon në territorin tonë dhe populli ynë po vuan. Kjo është arsyeja pse mbështetja e partnerëve tanë është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë kontekst. Diskutuam në detaje si agjendën dypalëshe ashtu edhe atë ndërkombëtare - para së gjithash, procesin e paqes, nevojën për një armëpushim të plotë, lirimin e të burgosurve dhe çështje të tjera. Mbështetemi në ndihmën e vazhdueshme të Ankarasë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andri Sybiha.

"Rifillimi i bisedimeve në Stamboll është vërtetë domethënës. Ne besojmë se për sa kohë që palët qëndrojnë në tryezën e negociatave, padyshim që mund të arrihet përparim. Shpresojmë që gjatë bisedimeve të ardhshme do të jetë e qartë se puna teknike është përfunduar kryesisht. Në fazën tjetër, ndoshta, mund të zhvillohet një takim i udhëheqësve, i cili do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të një armëpushimi afatgjatë.", - theksoi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.

Pas bisedimeve të para dypalëshe Rusi-Ukrainë më 16 maj, Moska propozoi që Ukraina të takohet përsëri në Stamboll për një raund të dytë bisedimesh të hënën e ardhshme, më 2 qershor. Ndërkohë për këtë takim, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se kanë hartuar një listë kushtesh për Ukrainën.

"Tani për tani të gjithë po përqendrohen në negociatat e drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë. Po punohet për të hartuar një listë të kushteve të përkohshme të armëpushimit. Bashkë me këtë siguria e lundrimit në Detin e Zi do të bëhet në një mënyrë pjesë e zgjidhjeve të ardhshme.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Peskov u shpreh optimist që memorandumet e përgatitura nga Rusia dhe Ukraina do të diskutohen në këtë takim. Por, ndryshe nga ai, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski, është shumë skeptik dhe tha se Rusia nuk i përmbush premtimet e dhëna, duke përfshirë edhe "memorandumin" që ende nuk është materializuar.

“Rusia po e zvarrit luftën dhe po bën gjithçka për të mashtruar vendet që ende përpiqen të ndikojnë në Moskë përmes fjalëve dhe jo presionit. Fjalët nuk funksionojnë me Moskën. Edhe i ashtuquajturi "memorandum" që ata premtuan nuk është përgatitur, kaluan më shumë se një javë dhe ende nuk është gati. Ukraina nuk e ka marrë atë. Partnerët tanë nuk e kanë marrë atë. Edhe Turqia - vendi që priti takimin e parë - nuk e ka marrë agjendën e re. Pavarësisht premtimeve të dhëna nga Moska.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Ndërkohë ShBA-ja, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i bëri presion  Rusisë që ta pranojë marrëveshjen për armëpushim në Ukrainë. Ndërsa Rusia u përgjigj se vendimi për luftë ose paqe është në duart e Ukrainës.

“Nëse Rusia merr vendimin e gabuar për të vazhduar këtë luftë katastrofike, Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të shqyrtojnë tërheqjen nga përpjekjet për negociata për t’i dhënë fund këtij konflikti. Për të qenë të qartë, kjo nuk do të nënkuptonte “braktisje” të parimeve tona apo të miqve tanë. Përkundrazi, do të ishte një njohje e refuzimit të Rusisë për të bashkëpunuar me ne drejt një zgjidhjeje të dëshirueshme.”, - theksoi përfaqësuesi i ShBA-së në OKB, Xhon Kelli.

“Asnjë sanksion i ri kundër Rusisë, as dërgesa armësh në Ukrainë apo ndonjë hap tjetër armiqësor ndaj Rusisë nuk do të jetë në gjendje të parandalojë humbjen e pashmangshme ushtarake të regjimit të Zelenskit. Topi është në fushën e Ukrainës, ose bisedime të ndjekura nga paqja, ose humbja e pashmangshme e Ukrainës në fushën e betejës.”, - u shpreh përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasili Nebenzia.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar, Rusia ka vazhduar bombardimet. Raportohet për viktima dhe të plagosur në Harkov, Odesa dhe Zaporozhia. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)