Maqedoni
Semimaturantët, mes emocionesh dhe sfidave të reja në shkollim
31.05.2025 14:36
Emocione dhe sfida, semimaturantët drejt udhëkryqit...

Emocione dhe sfida, semimaturantët drejt udhëkryqit të parë të jetës së tyre. Me përfundimin e klasës së nëntë, mijëra të rinj në mbarë vendin po lënë pas një etapë të rëndësishme të jetës: arsimin bazë.
Në bankat e shkollës ata kanë kaluar fëmijërinë, kanë ndërtuar miqësinë, kujtime dhe ëndrra që tashmë marrin drejtim të ri. Sipas drejtoreshës së Shkollës Fillore “Adem Jashari”, Fitore Qerezi, ky përfundim i shkollimit të tyre fillor, është një moment reflektimi për sfidat që i presin në të ardhmen dhe rrugët që do të zgjedhin të shkojnë.
“Deri tani i kemi pasur gjitha shkollat që ofrojnë programet e tyre dhe interesimi u pa qysh në prezentime në shkolla profesionale, në mjekësi por dhe në gjimnaze. Zakonisht zgjedhja e profesioneve bëhët në konsultim me prindërit, normalisht por dhe ne si staf punonjës kemi pasur ndërhyrje, duke iu preferuar në bazë të suksesit apo talentit dhe prirjeve në lëndë të caktuara, të shkojnë në drejtim të caktuar, aty ku kanë talent dhe përparësi”, u shpreh drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari”, Fitore Qerezi.
Mësimdhënësja në Shkollën Fillore “Panajot Ginoski”, Emine Islami Zejnulla, shprehet e kënaqur me gjeneratën që po e lë pas vetes, duke shpresuar edhe më tej në gjenerata të tilla.
“Gjenerata që po përfundon tani ka qenë gjeneratë shumë e mire, janë nxënës të shkëlqyer dhe të suksesshëm, me sjellje shumë të mirë. Besoj se do të kemi dhe gjeneratat në vijim si gjenerata që po na shkon”, theksoi arsimtarja në shkollën fillore “Panajot Ginoski”, Emine Islami Zejnulla.
Për disa semi-maturantë rruga vazhdon për në gjimnaz, për disa në shkolla profesionale, por për të gjithë ky është një moment i paharruar, plot emocione, kujtime dhe vendime. Ata shprehen edhe të entuziazmuar për mbrëmjen festive të semimaturës që mezi e presin ta kremtojnë.
“Shkolla fillore ka qenë moment i paharruar dhe një periudhë më e bukur e jetës sime, sepse në këtë shkollë ne kemi momente dhe kujtime të paharrueshme. Mësuesit kanë qenë të mirë me ne dhe na kanë dhënë këshilla e dhe gjatë mësimit. Shkollën e mesme kam menduar ta vazhdoj për mjekësi në Shkollën “Pançe Karagjozov”, drejtim i përgjithshëm”, u shpreh nxënësja.
“Do të regjistrohem në “Zeflush Marku”, të përgjithshëm. Mezi presim natën e fundit me klasën dhe i kemi dhënë rëndësi që të dukemi sa më mire, pasi që është një natë e veçantë”, theksoi nxënësja.
“Ishte një etapë shumë e mirë, me nota të mira dhe posaqërisht arsimtarët kanë qenë të mirë. Në “Pance Karagjozov”, drejtimi farmaci”, u shpreh nxënësja.
“Një ndjenjë shumë e mire, sidomos klasa e nëntë. Kemi kaluar shumë mirë me klasën dhe kudjestarin. Mendoj në Shkollën e Mesme “Cvetan Dimov”, drejtimi ekonomi”, theksoi nxënësja.
“Ne kemi kaluar shumë mire 9 vite bashkë dhe që po largohemi nga njëri-tjetri, jemi të mërzitur, por semimaturën po e presim me padurim. Mendoj të regjistrohem në “Cvetan Dimov”, drejtimi mjekësi”, u shpreh nxënësja.
“Me gjeneratën jemi kënaqur, sidomos me klasën. Jemi duke e pritur maturën. 9 vite na kanë kaluar shumë bukur. Në “Cvetan Dimov” mendoj të vazhdoj”, theksoi nxënësja.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, në fillim të vitit shkollor 2023/2024, numri i nxënësve në shkollat fillore ishte 182 124, duke shënuar një rënie prej 1.6% krahasuar me vitin e kaluar, kur kishte 185 099 nxënës.
Këto të dhëna tregojnë për një tendencë të vazhdueshme të uljes së numrit të nxënësve në arsimin fillor në RMV, e cila mund të ketë impikime të rëndësishme për planifikimin e resurseve arsimore dhe politikat edukative në vend.
FITORE DEMOLLI
