Botë

UNICEF, çdo 20 minuta vritet një fëmijë në Gaza

31.05.2025 16:36

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNICEF...

UNICEF ka deklaruar se mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë ose lënduar që nga tetori i vitit 2023, kur filluan luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Në një mesazh në rrjetet sociale, UNICEF tha se kjo është e barabartë me një fëmijë çdo 20 minutë.
 
“Ky është shkatërrim i fëmijërisë. Shkatërrim i vetë jetës. Këta janë fëmijë, jo numra. Asnjë fëmijë nuk duhet të kalojë nëpër këtë. Asnjë tjetër fëmijë”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it. 
 
Gaza është “vendi më i uritur në Tokë”, kanë vlerësuar Kombet e Bashkuara, duke paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit palestinez tani është në rrezik nga zia e bukës.
 
Ndërkohë Izraeli ka penguar një vizitë të planifikuar nga një delegacion i ministrave të jashtëm arabë në Ramallah, ku ata kishin për qëllim të diskutonin mbështetjen për krijimin e një shteti palestinez.
 
Delegacioni përfshinte ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.  Në një deklaratë të përbashkët të postuar nga ministria e jashtme e Jordanisë, grupi tha se vendimi “përfaqëson një shkelje të hapur të detyrimeve të Izraelit si fuqi pushtuese”.
 
“Ky pasqyron shkallën e arrogancës së qeverisë izraelite, shpërfilljen e saj për të drejtën ndërkombëtare dhe vazhdimin e masave dhe politikave të paligjshme që rrethojnë popullin vëllazëror palestinez dhe udhëheqjen e tyre legjitime”, shkruhej në deklaratën e minsitrisë së jashtme Jordaneze, duke shtuar se delegacioni do të takohet nesër në kryeqytetin jordanez Aman.
 
Një zyrtar izraelit e quajti takimin e propozuar “provokues”. Në ditët e fundit, Izraeli pjesërisht ka lehtësuar bllokadën e plotë të ndihmave në territorin palestinez, që e vendosi më 2 mars.
 
900 kamionë me ndihma humanitare janë autorizuar nga Izraeli për hyrje në Gazë, por deri më tani vetëm 600 kamionë kanë dërguar ndihmë në pjesën e kufirit në Gazë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI