Maqedoni

Zgjedhjet, ende s’dihen kandidatët, Selmani: Arsyet, lëvizjet partiake dhe kalkulimet

01.06.2025 14:14

Për zgjedhjet lokale të tetorit, partitë politike ende nuk kanë përcaktuar kandidatët...

Për zgjedhjet lokale të tetorit, partitë politike ende nuk kanë përcaktuar kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë. Vetëm VMRO-ja dhe LSDM-ja janë prononcuar për disa emra të përzgjedhur si garues të zgjedhjeve lokale.
 
Vonesa e mospublikimit të emrave potencialë, sipas njohësit të çështjes, Bashkim Selmani, lidhet me lëvizjet e partive politike kohëve të fundit dhe ndoshta edhe me moskoordinimin brenda partive për atë se cilat figura do t’i kandidojnë – fytyrat e njohura apo kuadro të reja.
 
“Analizuar në prizmin e situatës aktuale dhe përçarjeve që po ndodhin mes subjekteve politike shqiptare, kjo ka bërë që akoma të mos i nxjerrin emrat përkatës. Po ashtu, ekziston një dislokim mes asaj që është program dhe asaj që mund t’u ofrohet qytetarëve. Siç duket, partitë politike shqiptare janë humbur nëpër labirinthet e tyre të interesave partiake për pozicionimin dhe ripozicionimin e tyre, dhe kësaj radhe pretendojnë të nxjerrin vetëm emrat e caktuar që do t’i fitonin komunat përkatëse”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.
 
Pasi që zgjedhjet lokale lidhen me shërbimet komunale, ka gjasa që partitë të mos i kenë gati programet dhe platformat zgjedhore – çfarë do të premtojnë për qytetarët në fushën e investimeve dhe infrastrukturës, të cilat shumë pak realizohen pasi ta marrin mandatin, thotë për TVM2 Selmani.
 
“Mbi 60 për qind e qytetarëve që jetojnë nëpër komuna, në zona të ndryshme në rrethet e komunave, shohim se edhe sot aktualisht nuk kanë kanalizim, transport publik dhe asnjë shërbim që është në interesin e tyre – megjithëse paguajnë taksa, qoftë në qytetin e Shkupit apo qytetet e tjera, ku qytetarët janë të stërngarkuar me detyrime. Pamë edhe çështjen e EVN-së apo shërbimet e tjera, ku në këtë rast kryetarët e komunave as që kanë bërë zë për këtë kufizim apo vjedhje publike që u ndodh qytetarëve”, theksoi Selmani.
 
Profesori universitar Selmani shpreson që këto zgjedhje të sjellin mirëqenie dhe avancim të pozitës së qytetarëve, sidomos në komunat e banuara me jomaqedonas, dhe ta kthejnë besimin e popullit te menaxhmenti lokal – gjë e cila, sipas tij, humbet çdo ditë për shkak se komunat nuk ofrojnë realitet nga ajo që premtohet në fushatë zgjedhore.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU