Maqedoni

BDI dhe LSDM akuza ndaj VLEN dhe VMRO-së

01.06.2025 15:08

BDI me kritika ndaj qeverisë dhe koalicionit VLEN...

Sipas kësaj partie, asnjëherë më parë drejtësia nuk ka qenë kaq e poshtëruar dhe e vendosur nën komandë të plotë të pushtetit politik. 
 
“Rasti në Koçan dhe heshtja përballë katastrofës urbane në Çair janë dëshmi të gjalla se Prokuroria Publike është shndërruar në një vegël të bindur të pushtetit ekzekutiv. Në Koçan, pas një tragjedie që tronditi gjithë shoqërinë, hetimi u mbyll pa u thirrur si i dyshuar asnjë funksionar partiak, edhe pse çdo qytetar e ka të qartë se përgjegjësia është e drejtpërdrejtë dhe bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse. Heshtja e Prokurorisë është një formë amnistie politike dhe një fyerje e rëndë për viktimat dhe familjet e tyre. Në Çair, po ndodh në kohë reale një krim urban. Më shumë se 150 ndërtime pa leje, pa projekt statik, pa vlerësim sizmik, me lidhje të paligjshme elektrike dhe pa qasje për zjarrfikës apo ndihmë të shpejtë, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për mijëra qytetarë. Njerëzit që kanë blerë banesa në këto objekte nuk mund të flenë të qetë për shkak të frikës për jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Kjo nuk është më drejtësi selektive, kjo është drejtësi e shuar, e dirigjuar, e kontrolluar dhe e orientuar me vetëdije kundër interesit të qytetarëve. Dhe kur drejtësia hesht aty ku duhet të flasë, ajo bëhet bashkëpunëtore e krimit”, thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
Edhe LSDM me kritika ndaj pushtetit për ndërtimet pa leje në komunën e Çairit, ndrësa akuzon VMRO-në se po i mbron partnerët e koalicionit VLEN. 
 
“Në vend që të kërkohet përgjegjësi dhe të ndalen të gjitha veprimet komprometuese në lidhje me 150 ndërtimet pa leje në Çair, situata po merr përmasa të reja dhe rrjeti i të përfshirëve në këtë mega skandal po zgjerohet. Informacionet më të fundit zbulojnë fakte tronditëse. Agjencia e Kadastres ka sjellë një vendim për fshirjen e legalizimeve të mëparshme të mbi 150 objekteve të ndërtuara pa leje në Çair – legalizime që, siç mësuam nga opinioni, ishin regjistruar në Kadastër mbi bazë të dokumenteve të falsifikuara. Sipas informatave të siguruara nga sinjalizues, Kadastra ka marrë vendim për fshirjen e këtyre regjistrimeve pas një kërkese të dorëzuar më 2 maj 2025 dhe të arkivuar më 25 maj 2025. Që situate të bëhet edhe më tragjike Komuna e Çairit kishte sjellë një dokument ku në lokacionin ku është ndërtuar një ndërtesë, ka qenë e planifikuar të ndërtohet rrugë. Megjithatë, në vend të rrugës, aty është ngritur ndërtesa. Ky dokument më pas është zhdukur në labirintet komunale. Lind pyetja e pashmangshme: A është i përfshirë në këtë rrjet të mafies urbane edhe drejtori i Kadastres, Ivan Zhivkovski? Zhivkovski më herët ishte kryetar i Këshillit të Komunës së Kisella Vodës dhe kryetar i Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së. Çfarë përfitimi kanë Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE nga 150 ndërtime pa leje në Çair? Pse VMRO-DPMNE i mbron të përshtatshmit e partnerit të tyre qeveritar nga koalicioni VLEN?”, u shpreh Lubica Jançeva nga LSDM.
 
VMRO akuza ndaj kreut të LSDM-SË, Filipçe
 
Akuzat e BDI-së dhe LSDM-së për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje me dokumente të falcifikuara janë mohuar nga kreu i Çairit, Visar Ganiu. Ndërsa nga VMRO-DPMNE, kundërpërgjgijen me kundërakuza.
 
Skandali i njohur si “Provizionet që kushtojnë jetë”, ka nxjerrë në pah mënyrën se si kreu social democrat Venko Filipçe, gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë, ka vënë përfitimet dhe provizionet mbi shëndetin e qytetarëve.
 
“Fakti kyç është se në momentin e ngjarjes kritike, spitali modular në Tetovë nuk kishte miratim as për instalim dhe as për përdorim nga Ministria e Shëndetësisë. Spitali u dogj në më pak se dy minuta, për të cilin ka regjistrime, listë me dokumente, prova që fsheh Prokuroria Publike.Venko Filipçe lejoi që pacientët me gjendje të rëndë klinike të trajtoheshin në ambiente që nuk mund të shërbenin për qëllime tjetër veçse si strehimore.Lind pyetja: A po e mbron Prokuroria Publike Filipçen? Pse ish-drejtorët e akuzuar të Spitalit të Tetovës thanë se fajtori i vërtetë duhet të ulet pranë tyre në bankën e të akuzuarve, e ai është Venko Filipçe?”, theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Të gjitha këto informacione janë dorëzuar në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion, thuhet nga partia maqedonase në pushtet, e cila paralajmëron se në ditët në vijim pritet të zbulohen të gjitha detajet nga skandali “Provizionet që kushtojnë jetë”, ku figura kryesore është Venko Filipçe.
 
FLORIJE KAMBERI