Botë

Gaza, 21 të vrarë 175 të plagosur afër në qendre ndihmash

01.06.2025 16:02

Të paktën 21 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur...

Të paktën 21 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi forcat izraelite kanë hapur zjarr afër një qendre për ndihmë humanitare në Gaza. Në momentin e sulmit me tankse mijëra banorë po shkonin për të marrë ushqime në një qendër për shpërndarjen e ndihmës e mbështetur nga SHBA-të.
 
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmës së njerëzve që ishte afër një kilometër larg qendrës së ndihmës, që udhëhiqet nga një fondacion i mbështetur nga Izraeli. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë ngjarje.
 
Fondacioni tha përmes një deklarate se ka shpërndarë ndihma “pa asnjë incident” mëngjesin e së dielës dhe mohoi raportimet e mëhershme për kaos dhe të shtëna afër rreth qendrave të ndihmës, që janë të vendosura në zona ushtarake izraelite, ku qasja e pavarur është e kufizuar. Mjekët thanë se të paktën 21 persona janë vrarë dhe 175 të tjerë janë plagosur.
 
Ndërkohë banorët e Gazës po përballen me katastrofa humanitare. Edhe pse bllokada ndaj ndihmave u hoq javën e kaluar, banorët vazhdojnë të përballen me mungesë serioze të ushqimit. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se situata është përkeqësuar edhe për shkak të rritjes drastike të çmimit të miellit.
 
“Erdha vetëm ta shoh miellin, sepse nuk kam mundësi ta blej. Duhet të gjendet një zgjidhje që të kthehemi si më parë. Më herët ndaja miell për të tjerët, tani nuk kam as për një bukë. Gjeni zgjidhje, dëgjoni zërin tonë, po vdesim nga uria”, u shpreh banori palestinez.
 
“Arrita të mbledh pak para dhe bleva miell. Çdo ditë ushqimi ynë janë thjerrëzat apo makaronat nga kuzhinat popullore. Shpresoj të kem për tre ditë për fëmijët e mi, pastaj do të mbështetemi sërish te kuzhinat. Nuk e dimë çfarë të bëjmë, vetëm lutemi që kjo luftë të marrë fund”, theksoi banori palestinez.
 
“Sa do që të kushtojë ky miell, nuk mund ta blej. Kjo që po ndodh është padrejtësi”, u shpreh banori palestinez.
 
Aktivistët e organizatave për të drejtat e njeriut përpiqen vazhdimisht të sjellin ushqim dhe mjete bazë për mbijetesë në Gaza. 
 
“Kjo anije e vogël me 12 njerëz bart ndihma, ushqim, ushqim për foshnje – të gjitha këto nuk mjaftojnë për Gazën. Por ne jemi Davidi, e Izraeli është Goliati”, u shpreh aktori Liam Kaningen. 
 
“Prej pothuajse tre muajsh kemi qenë dëshmitarë të një bllokade të plotë. Kjo është një rrethim jo human. Asnjë gjë nuk lejohej të futej, as edhe një shishe ujë. Izraeli po e përdor urinë si armë”, theksoi aktivistja Jasemin Açar.
 
Ndërkohë, në Tel Aviv u zhvilluan protesta masive. Demonstruesit kërkuan nga autoritetet izraelite armëpushim dhe një marrëveshje për kthimin e pengjeve izraelite të mbetura në duart e Hamasit. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI