Tetë të plagosur në Kolorado, FBI po e heton si akt terrorist
Tetë persona janë plagosur në Shtetet e Bashkuara...

Tetë persona janë plagosur në Shtetet e Bashkuara, kur një burrë 45-vjeçar bërtiti “Liri për Palestinën” dhe hodhi pajisje ndezëse ndaj një turme në Bolder të Kolorados, ku po mbahej një demonstratë në kujtim të pengjeve izraelite që vazhdojnë të mbahen në Gazë, thanë autoritetet amerikane.
Katër gra dhe katër burra të moshave ndërmjet 52 dhe 88-vjeçare, janë dërguar në spitale, ka bërë të ditur policia në Bolder. Autoritetet më herët kishin thënë se gjashtë persona ishin plagosur, prej të cilëve njëri ndodhej në gjendje kritike.
“Si rezultat i këtyre fakteve, është e qartë se ky është akt i shënjuar dhune dhe FBI po e heton këtë si akt terrorizmi.”, tha agjenti special i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Mark Michalek, i cili udhëheq operacionet në Denver. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha nëpërmjet një komunikate se viktimat u sulmuan “thjesht sepse ishin hebrenj”, dhe se besonte se autoritetet amerikane do ta vinin para përgjegjësisë “keqbërësin gjakftohtë”. Sulmet antisemite nëpër botë janë rezultat i drejtpërdrejtë i shpifjeve kundër shtetit dhe popullit hebraik, dhe kjo duhet të ndalet.”, u shpreh ai.
