Tetovë, vazhdon protesta e infermierëve, Zaimi: S’kanë marrë vetëm pagat e prillit

02.06.2025 14:06

Vazhdon protesta e infermierëve në Spitalin e Tetovës...

Vazhdon protesta e infermierëve në Spitalin e Tetovës, duke kërkuar rroga, kontrata pune dhe vendime të premtuara. Sipas tyre, Spitali i Tetovës mbahet gjallë nga ata, por autoritetet i kanë harruar.

“Ne jemi në çdo cep të spitalit, por sot nuk kemi paga, nuk kemi kontrata, nuk kemi vendime, nuk ka respekt. Spitali i Tetovës mbahet gjallë nga ne, por neve na kanë harruar, ne nuk kërkojmë dhurata për pagat tona të vonuara, kërkojmë kontrata tona të munguara kërkojmë vendimet tona të merituara e premtuara bollë më me rrena.”, - tha një infermiere.

Nga Spitali i Tetovës, kryeinfermierja, Dita Zaimi, tha se nuk është e vërtetë se tre muaj janë pa paguar rrogat e infermiereve, por vetëm e muaji prill. Ajo kërkon që kërkesat të shkruhen dhe të dorëzohen.

“Se tre rroga nuk kanë marrë, nuk është e vërtetë. Nuk kanë marrë vetëm pagat e prillit, d.m.th. muaji maj. Vetëm këtë dua t’i demantoj se nuk janë tre, është vetëm paga e prillit që nuk është paguar dhe muaji maj tani ka mbaruar, d.m.th. edhe ne i marrim deri më 15 pagat. Ata gjithmonë i kanë marrë 1 apo 2 ditë para nesh ose pas nesh, d.m.th. tani me datën 15 vjen paga.”, - deklaroi kryeinfermierja, Dita Zaimi.

Përndryshe në Spitalin e Tetovës janë mbi 100 infermiere, por edhe personel teknik pa vendime, pa kontrata dhe sipas tyre tre muaj pa rroga.

Ata thanë se do të vazhdojnë protestat, por nuk e larguan si mundësi edhe bojkot të punës deri në zgjedhjen e statusit të tyre të punës. (Visar Sadiku, TVM2)