Prishtinë, Forum Ndërkombëtar për Gratë, paqen dhe sigurinë
Në Prishtinë po mbahet edicioni i tretë...

Në Prishtinë po mbahet edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Duke hapur forumin, presidentja Osmani tha se nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të luftosh për paqe, pasi paqja është themeli i gjithçkaje.
Paqja nuk nis kur ndalen armët, por kur nis transformimi, kur mundësia shndërrohet në prosperitet, theksoi Osmani.
“Kosova qëndron sot këtu jo si një model i përkryer, por si një dëshmi e gjallë e asaj që është e mundur kur paqja është e pranishme. Ne u ngritëm nga hiri, kemi shndërruar traumën në dëshmi, heshtjen në fuqi dhe ne nuk jemi vetë. Për miqtë e mi që po ndjekin këtë forum nga Bosnja e Hercegovina e deri te shtetet në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe nga mbarë bota: ne të gjithë ngrihemi nga dhimbja që të shfaqim forcën që po ndajmë sot. Sot nga Ukraina te Lindja e Mesme, nga Sudani te Mianmar dhe përreth shumë zonave tjera konfliktuoze, fatkeqësisht gratë dhe fëmijët janë duke përjetuar ngjarjet e njëjta që ne i kemi ndjerë dikur. Pyetja është: A do ta kalojmë këtë faqe të librit dhe të bëjmë kinse nuk po shohim çfarë po ndodh apo ne më në fund do të bëjmë të pamundurën, gjithçka që kemi në duar, ta mbyllim librin e luftës. Le të bëhemi brutalisht të sinqertë, lufta është gjëja më e keqe që njerëzimi ka bërë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani njëherit i paraqiti gratë dhe vajzat shqiptare si ndërtuese të paqes në etapa të ndryshme kohore, veçanërisht pas mbijetimit të luftës së fundit të Kosovës me shumë humbje.
Vanesa Sulimani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyhrete Sulimani, para të pranishmëve tha se nënës së saj, i janë dashur 20 vjet që ta gjejë zërin për të treguar tmerrin që kishte përjetuar.
“Në moshën 4-vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi të luftës. Për 15 vite të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Para dy vitesh që unë vendosa që kjo të mos na shkatërronte më. Lufta ka shumë viktima, madje edhe pasi lufta të ketë përfunduar.”, - tha një fëmijë i të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vanesa Sulimani.
Në këtë forum dyditorë pritet të organizohen mbi 30 panele diskutimi me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete. (Gyltene Sinani, TVM2)
