Maqedoni

Rezoluta e PE-së për RMV-në, Mickoski: Evropa të përmirësojë gabimin

02.06.2025 15:22

Kryeministri, Hristian Mickoski, sërish komenton rezolutën e Parlamentit Evropian...

Kryeministri, Hristian Mickoski, sërish komenton rezolutën e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, që do të vihet në diskutim të mërkurën dhe të enjten, rezolutë ku përmenden identiteti dhe gjuha e veçantë maqedonase.
 
Shefi i ekzekutivit pret që kësaj radhe, siç thotë ai, Evropa ta përmirësojë gabimin që si i tillë u pranua nga funksionarët e Qeverisë paraprake.
 
“Tani pres që Evropa të japë përgjigje. Evropa tani e ka shansin. Tani nuk ka votim të njëzëshëm. Evropa e ka shansin ta përmirësojë padrejtësinë historike që është shkaktuar me pranimin e Bujar Osmanit dhe Dimitar Kovaçevskit, ajo që u ishte vënë në tavolinë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Amendamentet e paralajmëruara bullgare, Mickoski: Sofja zyrtare, peng i Zhivkovizmit
 
Kryeministri Mickoski me koment edhe për amendamentet e eurodeputetëve bullgarë, të cilët kërkojnë që para gjuhës maqedonase të vendoset fjala “e tanishme”, gjë të cilët thotë se kurrë s’do ta pranojë.  
 
“E vërteta del në shesh, herët ose vonë, ndërsa e vërteta është se Sofja zyrtare nuk riorganizohet kurrë dhe mbetet një peng i verbër i politikave të Zhivkovizmit, krijimi i një kombi të ri bashkëkohor maqedonas që mbështetet mbi themelet e kombit bullgar. Ky është thelbi. S’ka lidhje përfshirja e disa qindra qytetarëve tanë në preambulë. Kushdo që nuk beson në këtë është ose analfabet politik ose dëshiron me vetëdije t’i manipulojë qytetarët.”, - theksoi kryeministri, Hristian Mickoski.
 
Për këtë rezolutë, kryeministri ka kërkuar nga oponenti i tij politik, Filipçe, që të lobojnë në Bruksel. Derisa po diskutohet rezoluta e Parlamentit Evropian, të premten Kuvendi bullgar miratoi rezolutë të re për procesin e përparimit të vendit tonë drejt BE-së, ku u precizua se Shkupit nuk do t’i ndodhë asgjë e re në këtë drejtim pa i përmbushur marrëveshjet për të cilat ka dhënë firmën.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU