Maqedoni

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, Mickoski: S’ka paga pa ndryshim të ligjit

02.06.2025 15:41

Nuk ka paga për të punësuarit në Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve...

Kryeministri, Hristian Mickoski, thotë se pagesa nuk mund të bëhet pa u ndryshuar ligji për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës, gjegjësisht vendosjen e Inspektoratit nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.
 
Kjo shikohet si zgjidhje e përkohshme. Kryeministri thotë se Inspektorati përfundimisht duhet të vendoset nën ombrellën e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.
 
“Pres që të gjitha grupet e deputetëve ta mbështesin këtë ligj. Fillimisht të hyjë atje dhe më pas në hap të dytë sërish me ndryshim të ligjit të mund të hyjë në Agjencinë, pasi ky është thelbi, Agjencia është ajo që i krijon politikat, ndërsa Inspektorati kontrollon nëse ato politika zbatohen ose jo. Po, për atë duhen disa muaj dhe që të mos presim, ne themi tani të hyjë këtu, menjëherë të paguhen pagat e prapambetura, të cilat njerëzit me nder i kanë përfituar. Ndërsa më tej do të duhet disa muaj që Inspektorati të hyjë në kuadër të Agjencisë dhe si organ i tillë të funksionojë.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
 
Ligji pritet t’i dorëzohet deputetëve. Drejtori i Inspektoratit, përpos se ka folur me kryeministrin gjatë fundjavës, pritet të takojë edhe grupet parlamentare në Kuvend, për t’i bindur, pasi ligji duhet harmonizuar me shumicën e Badenterit. Ekzistojnë paralajmërime se BDI-ja do ta kundërshtojë të njëjtën.
 
“Nëse BDI nuk i voton, atëherë BDI tregon se është absolutisht koezistent në politikat e saja dyfytyrëshe, gjegjësisht dëshiron t’i lë pa paga njerëzit që janë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe.”, - theksoi kryeministri, Hristian Mickoski.
 
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve me 17 të punësuar nga 1 janari i këtij viti, është në një situatë të paqartë juridike. Të punësuarit gjatë kësaj periudhe nuk kanë marrë rroga, pasi juridikisht nuk janë të transferuar nën dikasterin e drejtësisë, e cila duhet të bëjë transferet e pagave.
 
MERAL ISMAILI