Maqedoni

Hetimi për Koçanin, LSDM me akuza për hetim selektiv

02.06.2025 16:00

Partia më e madhe opozitare, LSDM, ka vazhduar me akuzat drejtuar pushtetit...

Partia më e madhe opozitare, LSDM, ka vazhduar me akuzat drejtuar pushtetit dhe Prokurorisë se po mbrojnë persona të caktuar në hetimin për tragjedinë në Koçan. Sipas tyre, në mesin e të mbrojturve të Mickoskit dhe Kocevskit është edhe Maria Cvetkovska Manevska, drejtuese e Departamentit të Policisë së Koçanit, e cila nuk mban përgjegjësi për veprimet e lëshuara natën e tragjedisë.
 
Konsiderojnë se Mickoski po i mbron këta njerëz nga frika se hetimi mund të çojë tek ai personalisht dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
 
“Marija Cvetkovska Manevska është zgjedhja personale e Pançe Toshkovskit për kreun e Departamentit të Policisë së Koçanit, madje edhe gjatë qeverisë teknike, që do të thotë se ajo ka qenë në detyrë për më shumë se një vit para zjarrit tragjik në Puls! Pse Marija Cvetkovska Manevska nuk mban përgjegjësi për derën e mbyllur në diskotekën “Puls”, një veprim që shkurtoi sekondat e çmuara për të shpëtuar shumë jetë?! Si është e mundur që si drejtuese e Departamentit të Punëve të Brendshme të Koçanit, Manevska nuk ka informacion se është lëshuar dhe po zbatohet një urdhër në kundërshtim me procedurën standarde të punës në sektorin e Departamentit të Punëve të Brendshme që ajo vetë e drejton?”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
Drejtësia për spitalin modular, VMRO: "Provizione që kushtojnë jetë"
 
Edhe VMRO-DPMNE ka vazhduar me zbulimin e detajeve për ndërrimin dhe tenderimin e spitaleve modulare nga ish-ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nën aferën "Provizione që kushtojnë jetë".
 
“Venko Filipçe, i cili lejoi që spitali modular në Tetovë të ndërtohej me materiale jo-zjarr rezistente, disa ditë pas zjarrit nënshkroi një marrëveshje me kontraktorin për të zëvendësuar panelet nga të cilat ishin ndërtuar kontejnerët me panele zjarrë rezistente. Në fakt, Venko Filipçe nënshkroi një aneks të kontratës me kompaninë që ndërton spitalet modulare dhe e rriti çmimin për 20%, vetëm për të ndryshuar materialet në spitalet e tjera në të gjithë vendin. Pse Venko Filipçe nxitoi të lidhë një marrëveshje për ndryshimin e materialeve nga të cilat u ndërtuan spitalet modulare? Pse Filipçe lejoi më parë që të përdoren spitale të tilla dhe menjëherë pas zjarrit nxitoi të ndërronte panelet? Pse e rriti menjëherë çmimin me 20%? A janë ato 20% shkaku i zjarrit në Tetovë dhe vdekja e 14 personave?”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga tragjedia në Koçan, natën e 16 marsit, humbën jetën 62 persona, ndërsa mbetën të lënduar rreth 200 të tjerë. Ndërkohë, më 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës, ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19, zjarri i shkaktuar mori me vete 14 jetë të pacientëve, në mesin e të cilëve anëtarë të familjeve që ndodheshin brenda. 
 
FLORIJE KAMBERI