Maqedoni

PLD-ja propozon një njësi zgjedhore, Trajanov: Shtysë për demokratizimin e procesit

02.06.2025 16:19

Partia Liberal Demokrate edhe zyrtarisht ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin...

Partia Liberal Demokrate edhe zyrtarisht ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që RMV-ja t’i realizojë zgjedhjet me një njësi zgjedhore dhe jo në gjashtë njësi sa ka aktualisht.
 
Po ashtu në propozimin e PLD-së parashihet që zgjedhjet të mbahen me listat e hapura, si dhe për kandidaturën e deputetëve të pavarur. Me këtë propozim, PLD-ja parasheh që të mos ketë prag zgjedhor. 
 
“Sot në Kuvend i paraqita Parlamentit Projektligjin për Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, i cili propozon që Maqedonia të jetë një njësi e vetme zgjedhore. Ndryshime të tilla do të nënkuptojnë një shtysë të fortë për demokratizimin e procesit zgjedhor dhe të shtetit në tërësi, si dhe çmontimin e "sistemit njëpartiak" të qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë të pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës. Në procesin e sjelljeve të ndryshimeve të mëdha do të jenë të përfshira më shumë parti, me të cilën do të kontribuojmë të rritet kontrolli i pushtetit ligjvënës mbi pushtetin ekzekutiv.”, - deklaroi Pavle Trajanov.
 
Mickoski: Për ne do të ishte e pranueshme
 
Por, ky propozim për partinë më të mëdha në pushtet VMRO-DPMNE, është plotësisht i pranueshëm, por kërkojnë që në procesin e votimit të përfshihet edhe diaspora. 
 
“Ja, unë e kam dhënë një ide, që të kemi 1 NJZ, me mundësi që të votojnë edhe diaspora dhe nuk shoh arsye pse kjo mos të ndodhë. Unë nuk kam filluar të loboj për përkrahje, por vetëm po them se për ne si VMRO-DPMNE do të ishte e pranueshme dhe do të votojmë që RMV-ja të jetë me një njësi zgjedhore, me të drejtë vote edhe për diasporën.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski. 
 
Edhe për partinë opozitare “E Majta”, ky propozim do të jetë i pranueshëm, dhe se kjo ka qenë kërkesë e kësaj partie që nga themelimi. Për partinë “E Majta” çështja e pragut dhe përfshirja e diasporës mbeten çështje për të cilat duhet diskutuar.
 
“Një njësi zgjedhore mbetet si prioriteti më i lartë i partisë “E Majta”. Në programin partiak të partisë “E Majta”, që nga viti 2016 qëndron koncepti që RMV-ja të jetë me një njësi zgjedhore. Ne besojmë se një njësi zgjedhore i duhet vendit, sepse me gjashtë njësi, votat e qytetarëve nuk peshonin njësoj dhe këtë problematikë e kanë konstatuar edhe faktori ndërkombëtar.”, - u shpreh Amar Mecinoviq nga “E Majta”.
 
Edhe nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë kanë theksuar se është e hapur për bisedime për futjen e një modeli të ri zgjedhor. Bashkimi Demokratik, nga ana tjetër, njoftoi të premten se gjatë javës do t'i paraqesë Parlamentit Projektligjin për Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilin deputetët mund ta plotësojnë me vërejtjet e tyre. 
 
FITIM KRYEZIU