Maqedoni

Dibër, ShKA “Dibra e Madhe” mbajti mbrëmje festive

02.06.2025 16:38

Në Qendrën e Kulturës në Dibër, Shoqëria Kulturore Artistike “Dibra e Madhe”...

Në Qendrën e Kulturës në Dibër, Shoqëria Kulturore Artistike “Dibra e Madhe” organizoi një mbrëmje festive plot emocion, ku u ndërthurën kënga dhe vallja popullore. Publiku dibran përjetoi një atmosferë të ngrohtë dhe të gjallë, duke duartrokitur interpretimet e artistëve vendas.
 
E veçantë ishte performanca e këngëtares, Klea Çutra, e cila u prit me entuziazëm dhe solli emocion të veçantë përmes zërit të saj. 
 
“Ishte një kënaqësi e veçantë të jem mes artistëve dibranë. Publiku më dha shumë energji dhe emocion.”, - theksoi këngëtarja, Klea Çutra.
 
Trupa e valleve e ShKA “Dibra e Madhe”, nën drejtimin e koreografes, Fetie Beqiri, dhuroi një spektakël të pasur me motive tradicionale dhe kostume folklorike.
 
“Ky aktivitet është një dëshmi e gjallë e vitalitetit kulturor të Dibrës. Do të vazhdojmë ta mbështesim.”, - theksoi drejtori i Qendrës për Kulturë, Ylber Nuredini.
 
“Angazhimi ynë është që brezat e rinj të trashëgojnë me krenari këtë kulturë të pasur.”, - u shpreh kryetari i ShKA “Dibra e Madhe”, Ilmi Duka.
 
Mbrëmja u mbyll me duartrokitje të gjata dhe ndjenjën e krenarisë për trashëgiminë shpirtërore dibrane.
 
ATLI DEMA