Botë
Stamboll, Ukraina dhe Rusia zhvillojnë bisedime
02.06.2025 17:01
Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinski, dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës...

Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinski, dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, udhëheqin bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, ku dhe paraqiten propozimet e tyre për paqe.
Ukraina kërkon armëpushim të plotë, lirimin e të burgosurve, kthimin e fëmijëve të rrëmbyer dhe garanci sigurie. Ndërkohë, Ukraina sulmoi katër baza ushtarake ruse dhe dëmtoi 40 avionë, duke shkaktuar dëme prej 7 miliardë dollarësh.
“34 për qind e bartësve strategjikë të raketave lundruese të stacionuar në bazat ajrore u goditën. Stafi ynë veproi në disa rajone ruse, në tri zona të ndryshme kohore. Është vërtet kënaqësi kur diçka që e kam miratuar para një viti e gjysmë realizohet dhe i privon rusët nga mbi 40 njësi të aviacionit strategjik.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, Moska ka sulmuar Kharkivin me raketa balistike, me viktima dhe të plagosur. Rusia tha se parandaloi një sabotim në hekurudhën në Lindjen e Largët. Shefi i mbrojtjes së Gjermanisë paralajmëroi se NATO-ja duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm rus brenda katër viteve, në prag të samitit në Hagë për buxhetin e mbrojtjes.
“Po arrijmë në një pikë ku duhet të jemi të përgatitur, jo vetëm për t’u mbrojtur, por edhe për të qenë faktor parandalues, vetëm për t’i treguar Rusisë se nuk është e lehtë të sulmosh territorin e NATO-s.”, - theksoi shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, Carsten Breuer.
Nga ana tjetër, Britania e Madhe do të investojë 2 miliardë dollarë për ndërtimin e 6 fabrikave municioni dhe shtimin e armëve me rreze të gjata, në mbështetje të Ukrainës.
“Nëse rrethanat na lejojnë, si pjesë e përpjekjeve tona për mbështetjen ndërkombëtare të Ukrainës në rast të një paqeje të dakorduar, Rusia kurrë më nuk do të mendojë për një pushtim të Ukrainës. Vetë ukrainasit do të jenë në fund garantuesi më i mirë dhe mjeti më i fuqishëm i parandalimit në të ardhmen. Detyra jonë është t’i mbështesim që të bëhen pikërisht kjo.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, John Healey.
Parisi dhe Londra janë vendet udhëheqëse në mobilizimin për mbështetjen e Kievit dhe njëkohësisht janë nismëtare të Koalicionit të Gatshëm, të cilët do të siguronin garanci, nëse arrihet një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.
ARMEND MURSELI
