Botë

Stamboll, raund bisedimesh Ukrainë – Rusi, marrëveshje për të burgosurit, jo për armëpushim

02.06.2025 18:08

Pas më shumë se një orë bisedime ka përfunduar takimi mes Moskës dhe Kievit...

Pas më shumë se një orë bisedime ka përfunduar takimi mes Moskës dhe Kievit në Stamboll. Palët arritën marrëveshje vetëm për një shkëmbim të ri të të burgosurve të luftës, por nuk ranë dakord për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar.
 
“U dakorduam për shkëmbimet dhe së shpejti do t’ju informojmë për detajet. U përqendruam te të plagosurit rëndë, të sëmurët, të rinjtë dhe kategori të tjera, si dhe në shkëmbimin e trupave të të ndjerëve. Detajet dhe informacionet do t’i publikojmë më vonë.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov.
 
Nga samiti në Vilnius të liderëve të krahut lindor të NATO-s, Volodimir Zelenski kërkoi sanksione më të ashpra.
 
“Duhet të bëjmë gjithçka që diplomacia të mos mbetet e zbrazët. Delegacioni ynë është në Stamboll dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa konkrete për paqe. Nëse Rusia minon edhe këtë agjendë fillestare dhe takimi nuk sjell rezultate, kjo do të thotë se janë urgjentisht të nevojshme sanksione të reja të forta nga BE-ja dhe ShBA-ja.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Në Lituani, fokusi ishte në ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe forcimin e mbrojtjes, për të unifikuar qëndrimet përpara samitit të korrikut në Hagë.
 
“Nuk ka siguri pa mbrojtje të fortë dhe nuk ka siguri të qëndrueshme pa një Ukrainë të qëndrueshme. Prandaj vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për t’i dhënë fund kësaj lufte brutale dhe për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet sot dhe të parandalojë agresionin në të ardhmen. Kjo do të jetë në rend dite edhe këtë javë në grupin e kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, që drejtohet nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar të mërkurën.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
 
Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të ndërtojë nëndetëse të reja bërthamore dhe do të krijojë një ushtri të gatshme për luftë në Evropë, si pjesë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.
 
“Kur kërcënohemi drejtpërdrejt nga shtete me fuqi të avancuara ushtarake, mënyra më efektive për t’i penguar është të jemi të përgatitur dhe t’u tregojmë qartë se jemi të gatshëm të sigurojmë paqen përmes forcës. Çdo gjë që bëjmë do ta rrisë fuqinë e NATO-s.”, - theksoi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
 
Raundi i dytë i bisedimeve vjen në një moment të luftimeve të vazhdueshme dhe sulmeve ruse mbi Kharkivin, Zaporizhian dhe Sumin, si përgjigje ndaj operacionit ukrainas “Rrjeta”, që dëmtoi katër baza dhe avionë me vlerë prej 7 miliardë dollarësh. 
 
ARMEND MURSELI