Tërmeti tmerron Turqinë, 69 persona u hodhën nga lartësia

03.06.2025 13:17

Një tërmet me magnitudë 5.8 shkallë të Rihterit...

Një tërmet me magnitudë 5.8 shkallë të Rihterit ka tronditur një qytezë bregdetare në Turqi të martën, duke shkaktuar panik te banorët.

Dhjetëra persona raportohet se janë lënduar pasi që kanë kërcyer nga dritaret dhe ballkonet, teksa një adoleshente vdiq, pasi u dërgua në spital.

Nuk është raportuar për dëme të mëdha. Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave ka njoftuar se tërmeti ndodhi në orën 02:17 të mëngjesit dhe epiqendra e tij ishte në Detin Mesdhe, pranë vendpushimit turistik Marmara.

Tërmeti në fjalë u ndje në rajonet fqinje, përfshirë ishullin grek të Rodosit, duke zgjuar shumë njerëz nga gjumi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja, ka shkruar në rrjetin sociale se një vajzë 14-vjeçare ishte nisur për në spital dhe vdiq si rezultat i sulmit të panikut.

Ai ka thënë se rreth 70 persona të tjerë u trajtuan për lëndime, pasi u hodhën nga dritaret ose ballkonet në panik e sipër.