Deputetët e Taravarit humbën vendet në komisionet parlamentare
Pas daljes së ASh-së së Taravarit në opozitë...

Pas daljes së ASh-së së Taravarit në opozitë, deputetët e kësaj partie me automatizëm kanë humbur edhe vendet të cilat u kanë takuar si anëtarë dhe zëvendësanëtarë në komisionet parlamentare. Në seancën e 51 të Kuvendit, deputetët e shumicës parlamentare në mënyrë të shpejtuar kanë kaluar me shumicë votash të gjitha propozim-vendimet për ndryshimin e vendimit për emërimin e kryetarit, nënkryetarit, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të komisioneve dhe komiteteve.
Por, kjo lehtësi nuk ishte e tillë kur deputetët arritën në pikën e tetë, ku parashihej që të votohet për propozim-vendimin për ndryshimin e vendimit për zgjedhjen e shefit, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të delegacionit të Kuvendit në asamblenë parlamentare të OSBE-së.
Këtu deputeti i ASh-së, Halil Snopçe, tha se shkarkimet duhet të bëhen në bazë të përkushtimit që kanë treguar deputetët në këtë Komision dhe jo për inate politike.
“Unë dua vetëm t’i drejtohem kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, nëse ka dëshirë dhe guxim të dalë në foltore dhe të tregojë se a ka pranuar ndonjë vërejtje për mua, që në mënyrë të papërgjegjshme, pa përgjegjësi morale dhe etike e kam prezantuar shtetin dhe Parlamentin në Këshillin e OSBE-së. Unë edhe në të kaluarën kam dalë nga Qeveria, por kam vazhduar të mbesë pjesë e këtij komisioni, por këtë po e kuptoj që e keni si vendim politik, por për të qenë i qetë me ndërgjegjen time, kërkoj shpjegim nga kryetari se a po shkarkohemi për shkak vendimeve tuaja politike apo nuk e kemi mbaruar punën si duhet.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
I menjëhershëm ishte edhe përgjigjja e kryetarit të delegacionit të Kuvendit në asamblenë parlamentare të OSBE-së, Gjorgjija Sajkovski, i cili theksoi se Halil Snopçe dhe ASh-ja, vet e kanë sjell vendimin.
“Koleg Snopçe, ju vet e bëtë përzgjedhjen se në Kuvend ka përfaqësim proporcional të grupeve të deputetëve në Komisione, dhe ju vendosët të jeni opozitë. Ndërsa sa i përket punës suaj, unë nuk kam pranuar kurrfarë pakënaqësi për punën tuaj, prandaj nuk ka këtu asgjë personale, por vendimin për t’u shkarkuar e sollët vet ju.”, - deklaroi kryetari i delegacionit, Gjorgjija Sajkovski.
Por, Snopçe nuk ishte i kënaqur me përgjigjen, edhe për sa i përket përfaqësimit proporcional.
“Kur jemi tek përfaqësimi proporcional, delegacioni është përbërë nga 2 deputetë të opozitës dhe një nga shumica, pra nëse është në pyetje përfaqësimi proporcional, atëherë arsyetimi i juaj nuk është në rregull.”, - u shpreh deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Ndryshe në të gjitha Komisionet, ku kanë qenë si anëtarë deputetët e ASh-së, si Rijad Shaqiri, Halil Snopçe, dhe Sadik Sulejmani, i cili dha dorëheqje, janë zëvendësuar nga Saranda Imeri Stafai, Valbona Adili Emini, Mimoza Musa, Bekim Sali, Imërlije Saliu Fetai, Adnan Azizi, Kaltrina Beqiri, ndërsa në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, Rijad Shaqiri do të zëvendësohet nga Bekim Qoku.
Kurse në Komisionin për Arsim, Saranda Imeri Stafai dhe Merita Kollçi Koxhaxhiku, nuk do të jenë më pjesë e këtij komisioni. Kaltrina Beqiri nuk do të jetë më anëtare në Komisionin për Kulturë dhe Turizëm, si dhe në Komisionin për mbikëqyrje të zbatimit të masave për ndjekje të komunikimeve, largohen Saranda Imeri Stafai dhe Mimoza Musa. (Fitim Kryeziu, TVM2)
