Konfederata e Organizatave Sindikale, pragu i përfaqësimit do të ulet në 5 për qind

03.06.2025 15:06

Pragu për përfaqësimin sindikal do të ndryshohet nga 10 në 5 për qind....

Pragu për përfaqësimin sindikal do të ndryshohet nga 10 në 5 për qind. Pasi deputetët e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale u takuan me udhëheqësit sindikalë të disa organizatave, ata do të paraqesin një propozim për ndryshime në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës.

Kryetari i  Konfederatës së Organizatave Sindikale beson se kjo do t'u lejojë një pjese të madhe të sindikatave të marrin pjesë në dialogun ekonomik dhe social. Ai shpreson se do të ketë ndryshime të tjera.

“Në pjesën ku kemi problem me atë “pengmarrje sindikale”, që po mbahet nga disa sindikata të caktuara, që të mos mund që më shumë se 3 vjet të ç’anëtarësohen.”, - deklaroi kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale,  Marjan Risteski.

Për shkak të mundësisë që do të hapet me këto ndryshime, edhe sindikatat e tjera të pranishme në takimin e punës janë të kënaqura.

“Afër 30 vite nuk arritëm të mbërrijmë cenzusin, sepse kemi rezistencë jo nga pushteti, por nga lidhja e sindikatave të Maqedonisë dhe më vjen mirë që ky ligj do të miratohet.”, - theksoi kryetari i USPAM-it, Sllobodan Antonovski.

“Vetëm ulet pragu në nivel nacional në nivel të selisë qendrore dhe përqindjet e tjera dhe përfaqësimi tjetër do të mbeten të njëjta si më parë.”, - u shpreh kryetari i KSL-së, Bllagoja Rapllovski.

Deputetët që do të propozojnë këto ndryshime thonë se do të ishte mirë nëse edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të ishte e pranishme  në takim, sepse edhe ajo sindikatë ishte e ftuar.

“Unë personalisht e kam ftuar kryetarin e LSM-së dhe më tha se do të formulojnë qëndrim në sindikatë dhe pastaj nuk patëm më mundësi të bisedonim, por nuk ka problem, se unë atë ftesë  e mbaj të hapur.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.

Stojanoski siguron se këto ndryshime do të miratohen me procedurë të shkurtuar dhe ata besojnë se kjo do të demokratizojë veprimin sindikal. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)