Maqedoni
Rezoluta e PE-së për RMV-në, Kos: Shkupi dhe Sofja të merren vesh
03.06.2025 15:23
Një ditë para debatit mbi rezolutën për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian...

Një ditë para debatit mbi rezolutën për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurokomisarja për zgjerim nuk jep koment, sepse konsideron se kjo është punë e organit legjislativ të BE-së. Megjithatë, përsërit nyjën që pengon vazhdimin e procesit eurointegrues të vendit, duke shtuar se qëndron e hapur për të lehtësuar në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes.
“Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën dhe më pas ne do të lëvizim përpara me procesin aderues. Ata duhet të bisedojnë dhe unë jam e gatshme ta lehtësoj procesin. Kjo është çështje e raporteve mes shteteve. Pajtohem se fqinjësia e mirë do kujdes, jo vetëm për Maqedoninë e veriut, jo vetëm për Bullgarinë, por të gjithë. Për këtë kam ofruar ndihmën time personale.”, - deklaroi kryetarja e KE-së, Marta Kos.
Davkova: Pres mbështetje, PE-ja të dëshmohet
Ndërkohë, kryetarja e shtetit, Siljanovska Davkova, pret mbështetje për rezolutën nga pjesa e konsiderueshme e eurodeputetëve. Ajo e quan ofenduese që në rezolutë, gjuhës maqedonase t’i vihet përpara fjala “e tanishme”, gjë që eurodeputetët bullgarë e kanë paralajmëruar se do ta kërkojnë përmes amendamenteve.
“Kuptohet se pres përkrahje, por sinqerisht nuk kam pritur që në shekullin 21 në Parlamentin Evropian të lexoj ndonjë amendament që konteston identitetin e dikujt. Ky është fenomen i panjohur, sidomos kur je i ulur në një institucion që është pjesë e BE-së, ku dokumentet konstituive bazë si Marrëveshja për BE, traktati i Lisbonës, deklarata për të drejtat fundamentale garantojnë respektimin e identitetin nacional, kulturor, dinjitetit dhe integritetin e njeriut. Kjo është diçka shokuese. Pres të mbështetet në të kundërtën. Kjo flet shumë për kapacitetin demokratik të BE-së.”, - deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Mickoski: Jam në bisedime, ta presim epilogun
Në prag të diskutimit të rezolutës, kryeministri Mickoski ka zhvilluar biseda të shumta telefonike me eurodeputetët, ndërkaq nuk komenton pritshmëritë tij.
“Dje kam zhvilluar biseda telefonike, ministri për Punë të Jashtme gjithashtu po ashtu edhe njerëz të tjerë të Qeverisë, të presim të vijë dita e nesërme.”, - theksoi kryeministri, Hristian Mickoski.
Derisa po diskutohet rezoluta e Parlamentit Evropian, të premten kuvendi bullgar miratoi rezolutë të re për procesin e përparimit të vendit tonë drejt BE-së, ku u saktësua se Shkupit nuk do t’i ndodhë asgjë e re në këtë drejtim pa i përmbushur marrëveshjet për të cilat ka dhënë firmën.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
