Maqedoni

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, Inspektorët, takim pa epilog në Kuvend

03.06.2025 15:40

Takimi i të punësuarve në Inspektoratin Për Përdorimin e Gjuhëve në Kuvend...

Takimi i të punësuarve në Inspektoratin Për Përdorimin e Gjuhëve në Kuvend me koordinatorët e grupeve parlamentare ka përfunduar pa epilog. Drejtori i inspektoratit, Arsim Idrizi, pa ndonjë ofertë konkrete pret nga deputetët për zgjidhje, që ata të marrin pagat e prapambetura tanimë 5 muaj.
 
“Këta janë njerëzit kompetentë se si dilet nga kjo situatë, ne duhet që t’i përkrahim me të gjitha metodat vetëm të zgjidhet.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi.
 
Deputetët e shumicës thanë se ngërçi me pagat do zgjidhje urgjente. Ata kërkuan mbështetjen e deputetëve për harmonizimin ligjor, që inspektorati për momentin të kalojë nën dikasterin e drejtësisë.
 
“Inspektorati pas kësaj do të fuqizohet edhe më shumë duke i dhënë edhe të drejtën për gjobat që nuk e ka pasur deri më tani, si inspektorat i vetëm.”, - deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku.
 
Madje, Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE zbuloi planet se ku do të përfundonte inspektorati, i cili, sipas tij, aktualisht ka të humbur statusin juridik.
 
“Të flitet për formimin e agjencisë ku do të hynin inspektorati për gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase. Por, siç duket, dikujt i shkon për shtati të vazhdojë kaosi, ta politizojnë çështjen me ligjin e gjuhëve, i cili nuk ka pikë reference me zgjidhjen e problemit në të cilin gjenden njerëzit e inspektoratit.”, - u shpreh koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Nga Fronti Evropian kundërshtojnë propozim-ligjin që inspektorati të kalojë nën kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë. Deputeti Blerim Bexheti thotë se inspektoratit do t’i hiqet statusi juridik. Ata janë të gatshëm për bisedime jashtë kësaj kornize të propozuar ligjore.
 
“Nuk do ta kenë mbështetjen tonë për një çështje ligjore, e cila do ta heq statusin juridik. Ne jemi të interesuar t’i avancojmë çështjet, në një koordinim të ardhshëm, në një qasje konstruktive nga të gjithë të pranishmit, që të mos cenohet asgjë nga kompetencat për këtë inspektorat.”, - deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Evropian, Blerim Bexheti. 
 
Socialdemokratët thonë se dakordimi për zgjidhje duhet të jetë unanim dhe i qëndrueshëm jashtë lojërave politike.
 
“Të gjendet mënyrë se si njerëzit të jenë në funksion, pasi praktikisht tani inspektorati nuk ka subjektivitet juridik, ndërkohë njëkohësisht janë parashikuar financa në Ministrinë e Drejtësisë për një institucion që juridikisht nuk ekziston.”, - theksoi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski. 
 
Por, nga Fronti e pretendojnë të kundërtën se me miratimin e buxhetit nuk janë parashikuar mjete për inspektoratin si organ i veçantë. Paratë i janë dhënë Ministrisë së Drejtësisë me planifikimet se do të marrë nën kontroll Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.
 
MERAL ISMAILI