Maqedoni
Prokuroria nisi hetim për një ndërtim pa leje në Çair
03.06.2025 15:57
Prokuroria Publike ka nisur hetim për një ndërtim të paligjshëm në Çair...

Prokuroria Publike ka nisur hetim për një ndërtim të paligjshëm në Çair. Pas verifikimeve është nxjerrë urdhër për procedurë hetimore ndaj një personi për ndërtim pa leje, sipas nenit 244 të Kodit Penal. Objekti është ndërtuar pa leje në tokë shtetërore në rrugën “Kemal Sejfula” në vitin 2024.
“Objekti ka filluar të ndërtohet në vitin 2024, pa leje dhe në tokë shtetërore në rrugën “Kemal Sejfula” në Çair. I dyshuari, në cilësinë e menaxherit të një personi juridik, figuron si investitor i ndërtimit, një ndërtesë banimi me hapësira afariste dhe me katësinë Po+P+6+Pk, të destinuar për shitje.”, njoftoi Prokuroria.
Arsovska: Nuk frikësohem dhe nuk tërhiqem
Hetimi është iniciuar pas kallëzimeve dhe veprimeve të kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, e cila javën e kaluar ishte në të njëjtin objekt, së bashku me punonjës të Qytetit të Shkupit, bëri inspektim të punimeve ndërtimore. Për shkak të veprimeve të saj, Arsovska ka deklaruar se ndjehet e kërcënuar, por ka theksuar se nuk do të tërhiqet dhe do të vazhdojë të denoncojë krimet, pavarësisht kërcënimeve. Në një letër të hapur, ajo iu përgjigj kryeministrit Mickoski, i cili e akuzoi se veprimet e saj janë përpjekje për destabilizim para zgjedhjeve.
"Mickoski, sot të drejtohem si grua, si njeri, si kryetare e qytetit. Ne po i ndalojmë ndërtimet pa leje të Ganiut për më shumë se 3 vjet, po i kthejmë dokumentet dhe po veprojmë, por asnjë institucion nuk reagon.”, thuhet mes tjerash në letrën publike të Arsovskës.
Arsovska vazhdon të thotë se po rrezikohet. Për njërin nga kërcënimet ndaj saj, i dyshuari është thirrur për bisedë zyrtare në polici.
“Më 02.06.2025, zyrtarë policorë nga SPB-Shkup kanë zhvilluar një bisedë zyrtare me S.A. (39) nga Shkupi, duke vepruar sipas një kallëzimi paraprak se më 01.06.2025, në bulevardin "Slovenija", përmes një dritareje të hapur të automjetit "Mercedes" me targa të Shkupit që ai e drejtonte, kishte drejtuar kërcënime ndaj D.A., kryetare e Shkupit.”, njoftojnë nga MPB.
Toshkoski: Ky është cirk dhe paradë para zgjedhjeve lokale
Në lidhje me thirrjet e Arsovskës, për kërcënimet që ajo ka marrë, është prononcuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
“Ajo që po sheh opinioni publik në Maqedoni është thjesht një cirk dhe paradë para zgjedhjeve lokale. Po të ndodhte brenda vitit të parë të mandatit, do të ishte për t’u përshëndetur dhe do të ishte vërtet e sinqertë. Por sidoqoftë, nëse nga ana e kujtdo ndaj kujtdo bëhen kërcënime serioze dhe ato raportohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe nëse në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore konstatohet nevoja për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara brenda kompetencave të MPB-së, ju siguroj që ne do të veprojmë menjëherë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ganiu: Arsovska të veprojë edhe në Saraj, njëjtë si në Çair
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, nuk mohon se ka ndërtime pa leje, por thotë se nga të gjitha komunat që bëjnë pjesë në Qytetin e Shkupit, vetëm Çairi është në shënjestër dhe se Arsovska nuk ndërmerr asgjë për komunat e tjera, por vetëm për Çairin.
“Nga 10 komunat që janë në kuadër të Qytetit të Shkupit, komuna e Çairit është e 6-ta, sa i përket ndërtimeve pa leje, d.m.th. 5 janë para komunës së Çairit, por zonja Danella nuk ndërmerr asgjë për ata, më konkretisht për komunën e Sarajit pasi e ka partner dhe atje ka edhe deklarata se atje nuk ka ndërtime të paligjshme, ndërsa mund të dokumentohet se ka ndërtime pa leje.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Përplasjet mes komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit vazhdojnë. Arsovska nuk tërhiqet, ndërsa Ganiu ka paralajmëruar padi.
ARMEND MURSELI
