Botë
Osmani ka ftuar në takim liderët, Kos: Kosova sa më parë t’i formojë institucionet
03.06.2025 16:31
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar subjektet politike...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar subjektet politike në takim për të mërkurën, 4 qershor. Siç është bërë e ditur nga presidenca, takimi është thirrur për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Nga presidenca nuk është njoftuar nëse në takim do të diskutohet për tejkalimin e krizës me konstituimin e Kuvendit. Ajo që dihet është se të mërkurën do të mbahet vazhdimi i 26-të i seancës konstituive të Kuvendit. Ndërkohë komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë.
“Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë është thelbësore të formohen shpejt institucionet dhe të ecet përpara me reformat kyçe në gjyqësor, media dhe administratë publike. Një qeveri funksionale dhe kuvend funksional janë thelbësore që Kosova të përfitojë nga Plani Evropian për Rritje.”, - theksoi komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Komisarja evropiane duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me Kosovën tha se rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, e jo përmes veprimeve të njëanshme.
GYLTENE SINANI
