Botë
Bisedimet Rusi – Ukrainë, vazhdojnë sulmet e ndërsjella, ka të vrarë në Sumu
03.06.2025 16:50
Disa orë pas fillimit të raundit të dytë të bisedimeve Rusi-Ukrainë në Stamboll...

Disa orë pas fillimit të raundit të dytë të bisedimeve Rusi-Ukrainë në Stamboll kanë vazhduar sulmet e armatosura njëra ndaj tjetrës. Të vrarë dhe të plagosur në Sumu. Dëme të mëdha edhe në infrastrukturë.
“Siç e shohim, muret janë të dëmtuara. Është dëmtuar rrjeti i energjisë elektrike dhe është ndërprerë. Dritaret gjithashtu kanë rënë të gjitha. Automjetet gjithashtu u dogjën.”, - theksoi zëvendëskryetari i komunës së Sumit, Stanislav Poliakov.
Ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të territorit të kontrolluar nga Rusia në rajonet Zaporizhia dhe Kherson pas sulmeve me dronë ukrainas. Mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike.
“Për fat të keq, armiku ynë sulmoi përsëri dhe bëri dëm të madh në infrastrukturën energjetike. Numri më i madh i lidhjeve elektrike janë të pamundura të funksionojnë. Siç e shohim, sulmet po vazhdojnë dhe do të zgjasin edhe për disa kohë.”, - deklaroi kryetari rus i rajonit të Zaporizhies, Evgenij Balitski.
Rusia dhe Ukraina në Stamboll ranë dakord vetëm për shkëmbimin e të burgosurve dhe zhvendosjen e trupave të vrarë. Kievi kërkon një armëpushim pa kushte më së paku për 30 ditë. Rusia ka ofruar një fund të përkohshëm të konfliktit dhe një Ukrainë të përcaktuar ushtarakisht dhe neutrale, pa katër rajonet që ka aneksuar që nga fillimi i luftës.
“Gjithçka bazohet në ikjen e arsyeve bazë të konfliktit, pa arritjen e një marrëveshjeje konkrete. Në Stamboll u arritën disa pikë të caktuara të negociatave, ato janë padyshim mjaft të rëndësishme, para së gjithash për pengjet që do të lirohen.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Zelenski e pranoi propozimin e kryeministrit turk, Erdogan, për një takim të përbashkët me Trampin dhe Putinin. Nga Shtëpia e Bardhë u përgjigjën se e mirëpresin këtë kërkesë për takim negociatash.
“Në takimin me kryeministrin turk, Erdogan, u pyeta se çfarë mendimi kam për takimin e përbashkët 4 liderësh me Trampin, Putinin, Erdoganin dhe mua, në një tavolinë. Thashë që do të pranoja një samit të tillë, sepse mendoj se pa një takim të tillë nuk do të ketë ndërprerje të konfliktit të armatosur.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ky propozim për takim të 4 liderëve do të jetë i vështirë për t’u mbajtur, mirëpo kreu i Rusisë, Putini, tha se do të ishte dakord me një takim të tillë, mirëpo tha se ai takim do të duhej të ishte paraprakisht i përgatitur mirë.
FITORE DEMOLLI
