Zgjedhjet lokale, partitë intensifikojnë bisedimet, Sela: Struga duhet t’i takojë ASh-së
Sa më shumë që afrohen zgjedhjet lokale...

Sa më shumë që afrohen zgjedhjet lokale, aq më shumë intensifikohen bisedimet për përcaktimin e kandidatëve për kryetarë të komunave. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se kërkon respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë brenda Frontit Evropian që partisë së tij t’i takojë kandidati për komunën e Strugës.
“Natyrisht që Struga duhet t’i takojë ASh-së dhe as nuk duhet diskutuar kjo, sepse ndryshe çfarë kuptimi do të kishte ASh-ja në kuadër të Frontit. Prandaj, as që diskutohet kjo gjë, por jemi në proces, sepse Fronti Evropian përveç këtij dimensioni, ka edhe dimensionin tjetër, të mbrojtjes së disa kauzave që janë rishfaqur. Kërkesat janë të trajtohemi me dinjitet, sepse koalicionet funksionojnë ku ka trajtim me respekt dhe dinjitet të ndërsjellë.”, - deklaroi Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, edhe koalicioni VLEN po bën përgatitjet për zgjedhjet lokale. Në një takim gjithpërfshirës të kuvendeve partiake promovuan Shtabin Qendror Zgjedhor. Në këtë takim u prezantua edhe shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Adnan Azizi.
“Tani nis puna e vërtetë. Nga ky shtab do të burojnë vendimet që do t’ua kthejnë shqiptarëve zërin e munguar. Këtu do të fillojë koordinimi i të gjitha fushatave tona në çdo cep të vendit, për t’i fituar edhe këto zgjedhje. Nga këtu nis fushata më e organizuar, më serioze dhe më shpresëdhënëse që shqiptarët kanë parë prej vitesh.”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.
Edhe BDI ende nuk ka bërë të ditur ndonjë kandidaturë për ndonjë komunë përkatëse. Nga ana tjetër, Arben Taravari, i cili u largua nga koalicioni VLEN dhe Qeveria, ende nuk ka ndonjë marrëveshje siç edhe përflitej me BDI-në.
Ai së fundmi ka deklaruar se është i gatshëm për bashkëpunim edhe me Frontin edhe me VLEN-in për Kërçovën, por pa përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit edhe në komunat tjera.
Synimi i Taravarit janë 5 komuna, për të cilat, siç tha se do të ngelte i kënaqur. Edhe partitë maqedonase po punojnë në këtë drejtim.
Deri më tani vetëm VMRO-DPMNE ka përcaktuar kandidatët për kryetar të komunave. Edhe pse me emra të vjetër të cilët do të luftojnë për mandat të dytë, besojnë në fitore sipas anketave në komunat në të cilat propozohen.
Nga ana tjetër, opozitarja LSDM një muaj më parë bëri thirrje të hapur për vetëkandidim të kandidatëve për kryetarë të komunave, me qëllim që, siç thanë, LSDM të përfaqësohet nga persona të aftë dhe me kredibilitet, por deri tani LSDM nuk ka dal me ndonjë kandidat të caktuar për kryetar komune. (Armend Murseli, TVM2)
