Maqedoni
Tetovë, shkolla fillore “Istigball”, përurohen terrene sportive
04.06.2025 14:53
Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përuruar terrene sportive...

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përuruar terrene sportive në shkollën fillore “Istigball” në Tetovë. Investimi i terreneve sportive është nga dy kompanitë private “Eskevator” dhe “Kiper”.
Kasami tha se edhe pse vlera mund të jetë e vogël, por rëndësia për fëmijët e kësaj shkolle është e lartë.
“Bëhet fjalë për fushë multifunksionale, futboll, basket, volejboll dhe sigurisht edhe për lojëra tradicionale, që fëmijët tanë t’i zhvillojnë aftësitë e tyre fizike. Është investim i vogël për nga vlera, por shumë me vlerë të madhe dhe i rëndësishëm për shkollën dhe fëmijët tanë, që të kenë kushte më të mira për të bërë aktivitete sportive.”, - theksoi kryetari i komunës, Bilall Kasami.
Kasami më tej shtoi se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i dy pishinave në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Kirili e Metodi”, të cilat mjete, komuna i ka fituar përmes kredisë hungareze.
“Besoj shpejt do të nisin procedurat për furnizime publike për tender për ndërtimin e pishinave tek shkollat “Kirili dhe Metodi” dhe “Naim Frashëri”. Bëhet fjalë për investim nga e ashtuquajtura kredi hungareze.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Përndryshe, në Tetovë, shkolla më e vjetër fillore “Liria” nuk ka sallë sportive edhe pse e njëjta, për nga numri i nxënësve është më e madhe. Komuna thotë së ka plan dhe shumë shpejt do të fillojë me ndërtimin e sallës sportive në shkollën “Liria”.
VISAR SADIKI
