Maqedoni

Transportuesit privatë, qytetarët mbetën me transport publik të reduktuar

04.06.2025 15:10

Ditëve të fundit, banorët e Shkupit janë përballur me mungesën...

Ditëve të fundit, banorët e Shkupit janë përballur me mungesën e transportit urban. Ata janë detyruar që të presin më gjatë nëpër stacionet e autobusëve.
 
Qytetarët e revoltuar  thonë se presin shumë gjatë autobusë në këtë mot të nxehtë.  
 
“Nuk kam parë prej në mëngjes autobusë privatë, vetëm autobusë të transportit publik. Edhe ata janë shumë të rrallë.”, - tha një qytetar.
 
“Pres autobusin nr.45 privat, por nuk qarkullon, pres më shumë se gjysmë ore.”, - tha një qytat tjetër.
 
“Edhe dje, edhe sot pres autobusët me nr.23 dhe 45, por nuk qarkullojnë. E kemi të vështirë në këtë mot të nxehtë të presim gjatë.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Transportuesit privatë nuk qarkullojnë  dhe nuk do të  qarkullojnë derisa NQP-Shkup të na paguajë mjetet, në mënyrë që të mund të ndezim autobusët. Kemi informacion se Qyteti i Shkupit ka paguar 40 milionë denarë posaçërisht për ne dhe ne po i presim ato para. Pra, NQP-Shkup duhet të na i transferojë ato para dhe autobusët do të qarkullojnë menjëherë.”, - kumtoi përfaqësuesi i transportuesve privatë, Jovica Zafirovski. 
 
Në fund të majit skadoi kontrata dyvjeçare që qyteti nënshkroi në vitin 2023 me grupin e tre transportuesve privatë - "Jofi Bus", "Vestor Trans" dhe "Rados Company".
 
Deri më tani, nuk ka pasur as konfirmim dhe as mohim nga Qyteti i Shkupit, nëse kontrata është zgjatur apo jo, nëse ka një kontratë të re apo nëse banorët e Shkupit do të përballen përsëri me radhë të reduktuara.
 
Sipas rregulloreve ligjore, një transportues privat nuk ka të drejtë të ofrojë transport publik, nëse nuk ka një kontratë të vlefshme me qeverinë lokale ose Ndërmarrjen e Transportit Publik.
 
Nëse pavarësisht kësaj autobusët e kompanive private vazhdojnë të punojnë, ata i nënshtrohen sanksioneve nga inspektorati i trafikut dhe policia.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI