Maqedoni
Modeli zgjedhor, Sela: ASh është për tetë njësi zgjedhore
04.06.2025 15:27
Partitë, me qëndrime ndryshe rreth transformimit të modelit zgjedhor...

Partitë, me qëndrime ndryshe rreth transformimit të modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore. ASh-ja, pjesë e Frontit Evropian, konsideron se do të ishte gabim nëse Maqedonia do të ishte një tërësi votimi. Ziadin Sela thotë se do të krijohej hapësirë për manipulime zgjedhore dhe ndrydhja e numrit të deputetëve shqiptarë.
“Po, ASh-ja ka propozimin e vet dhe ky propozim është që të ketë 8 njësi zgjedhore, po aq sa janë rajonet për zhvillim të barabartë ekonomik. Ideja e një njësie zgjedhore është gabim, në qoftë se e kanë me gjithë mend, që duhet të hapet kjo temë. Duhet parë cilat janë pikat e përbashkëta, që këto propozime ne të gjithë i kemi, të gjithë pa përjashtim themi se listat duhet të jenë të hapura, le t’i bëjnë listat e hapura.”, - theksoi Ziadin Sela nga Fronti Evropian.
Kasami: Çështje komplekse, jemi duke analizuar
Nga koalicioni VLEN ndryshimet në Kodin Zgjedhor i shohin si komplekse. Ata janë duke bërë analiza nëse modeli zgjedhor do të ishte në një apo më shumë njësi zgjedhore.
“Kjo mund të ketë edhe implikime ndëretnike, sepse me një njësi zgjedhore sigurisht që duhet të ketë garanci në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, do të mund të rruhet vota dhe nuk do të mund të ketë deformime të realitetit etnik të përfaqësimit në Kuvend. Pra, duke i marrë parasysh të gjitha këto aspekte, ne jemi duke ndërtuar qëndrimin tonë se a do të jemi për një njësi zgjedhore, për tre apo për tetë.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Stojanovska: Ndryshimet, pas zgjedhjeve lokale
VMRO-DPMNE insiston që votimi të jetë si një tërësi zgjedhore, por nuk besojnë se ndryshimet mund të ndodhin para zgjedhjeve lokale.
“Të shohim se cilat do të jenë reagimet, nëse do të ketë pajtueshmëri ose kundërshtime. Sipas standardeve evropiane, gjashtë muaj para zgjedhjeve kur janë zgjedhjet, nuk duhet të ketë ndryshime.”, - u shpreh Dafina Stojanovska nga VMRO – DPMNE.
Edhe socialdemokratët janë shprehur të hapur për futjen e një modeli të ri zgjedhor. Ndryshimet, sipas kryeministrit Mickoski, do të ishin të mundura vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pas tre vitesh. Në Kuvend, Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit veç më ka dorëzuar propozim për transformimin në një njësi zgjedhore.
MERAL ISMAILI
