Maqedoni

Kumanovë, 29 punësime me vendime në IShP “Shtëpia e shëndetit”, promovohet autoambulanca e re

04.06.2025 15:44

Gjatë një konference për media, drejtori i IShP “Shtëpia e Shëndetit” - Kumanovë...

Gjatë një konference për media, drejtori i IShP “Shtëpia e Shëndetit” - Kumanovë, Sedat Zulbeari, njoftoi gazetarët, si dhe opinionin publik, për ndarjen e 29 vendimeve për punësim në këtë institucion shëndetësor. Bëhet fjalë punësimin e mjekëve, stomatologëve, infermierëve, farmacistëve, si dhe personelit teknik.
 
“Sot me kënaqësi theksoj se për më pak se 1 vit kemi arritur t’i rikuperojmë ato vendime, ato vende pune në mënyrë të ligjshme dhe të miratuara me të gjitha procedurat e nevojshme, ku kemi realizuar 29 punësime, ndër të cilët kemi mjekë, stomatologë, motra medicinale, farmaciste dhe shërbime teknike. Shumë prej personave që më parë ishin të angazhuar janë rikthyer përmes procedurave të rregullta, duke dëshmuar se ky institucion nuk përjashton, por përfshin, gjithmonë në përputhje me ligjin.”, - deklaroi drejtori i IShP “Shtëpia e shëndetit” – Kumanovë, Sedat Zulbeari.
 
Përpos prezantimit të këtyre punësimeve, drejtori i IShP “Shtëpia e shëndetit” - Kumanovë, Sedat Zulbeari, promovoi gjithashtu edhe një autoambulancë të re, e cila do t’u shërbejë qytetarëve, të cilët kërkojnë shërbimet e Ndihmës së Shpejtë.
 
“Promovojmë një automjet të ri të Ndihmës së Shpejtë, një investim konkret për përmirësimin e shërbimeve emergjente dhe përgjigjes më të shpejtë ndaj nevojave të qytetarëve. Më lejoni t’ju informoj se shumë shpejt do të kemi rastin të ritakohemi, për faktin se ky nuk është projekti i vetëm që kemi realizuar në këtë periudhë më pak se njëvjeçare.”, - theksoi drejtori i IShP “Shtëpia e shëndetit” – Kumanovë, Sedat Zulbeari.
 
Nga IShP “Shtëpia e shëndetit” - Kumanovë paralajmërojnë edhe një sërë investimesh të tjera gjatë periudhës së ardhshme.
 
FATLUM AQIFI