Maqedoni
Përplasje politike për ndërtimet pa leje, VLEN: Arsovska hesht për Sarajin
04.06.2025 16:18
Akuzave të vazhdueshme të kryetares së Qytetit të Shkupit...

Akuzave të vazhdueshme të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, për ndërtime pa leje në komunën e Çairit, nga koalicioni VLEN i janë prëgjigjur me kundërakuza. VLEN-i kërkon nga Arsovska të veprojë në lidhje me ndërtimet pa leje në komunë të Sarajit, ndërsa akuzojnë atë për bashkëpunim në krim me BDI-në.
“A do të flisni për ndërtesat e paligjshme dhe perandorinë urbane të miqve tuaj të klanit të BDI-së?! A do të kërkoni vinça për këto raste apo do të mbyllni sytë, sepse këto janë të partnerëve tuaj politikë?! Rrugës, këto pyetje mund t’ia parashtroni edhe Apasievit. Koalicioni VLEN do të iniciojë veprim të menjëhershëm për të gjithë inspektoratet ndërtimore, veprim të shpejtë nga policia financiare dhe zbulim i pasurisë të fshehur, për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim urbanistik ndaj zonjës Arsovska.”, - deklaroi Muhamed Elmazi nga VLEN.
BDI: VLEN-i, vegël e VMRO-së
Ndërkohë nga BDI theksojnë se zbulimi i aktiviteteve të paligjshme të udhëheqësisë së VLEN-it, vetëm sa vërteton atë se VMRO-DPMNE i krijoi dhe i zgjodhi ata, sepse janë të shantazhueshëm dhe të kontrollueshëm përmes dosjeve të hapura në Prokurorinë e kapur nga pushteti.
“Në komunën e Çairit, ndërtimi i mbi 150 ndërtesave pa leje, pa standarde statike e sizmike dhe pa asnjë kontroll institucional, paraqet jo vetëm krim urban dhe rrezik serioz për qytetarët, por edhe mjet presioni politik ndaj drejtuesve të këtyre partive të preferuara nga Mickoski, të cilët tashmë janë kthyer në vegla të bindura të agjendës antievropiane dhe antishqiptare të Qeverisë.”, theksojnë nga BDI.
Arsovska: Po tentojnë ta destabilizojnë Shkupin
Nga ana tjetër, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, pretendon se ka marrë informacion për marrëveshje në Qeveri për, siç thotë ajo, “krijimin e kaosit në Shkup përmes ndërmarrjeve publike”. Sipas saj, qëllimi është të largohet vëmendja nga legalizimi i ndërtesave të paligjshme në Çair.
“Biznesi i tyre multimilionësh po destabilizohet. Ganiu, Mexhiti dhe Ademi po destabilizohen. Këtë mëngjes më thanë se kanë kurdisur plan për të destabilizuar Shkupin tani. Do të fillojnë me NQP-në, pastaj me Higjienën Komunale dhe do të krijojnë kaos për të defokusuar dhe qeverisur.”, ka shkruar Arsovska.
VMRO: Është Arsovska, ajo që destabilizon qytetin
Reagojnë nga VMRO-DPMNE, nga ku theksojnë se është Arsovska ajo që po destabilizon qytetin.
“Teatri i Arsovskës drejtohet nga partnerët e saj të koalicionit LSD dhe BDI, të cilët ende nuk mund të pajtohen me faktin se janë në opozitë dhe po përpiqen të fitojnë sa më shumë dukshmëri mediatike, kështu që po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë në çdo mënyrë të mundshme.”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO dhe VLEN mbrojnë mafinë urbane
Ndërkohë nga LSDM theksojnë se VMRO-DPMNE dhe VLEN mbrojnë krimin e mafisë urbane në Çair.
“Kjo sjellje është një konfirmim i qartë se VMRO-DPMNE dhe VLEN po mbrojnë mafien urbane që kërcënon Shkupin dhe sigurinë e qytetarëve të tij. Sa vlen heshtja e këshilltarëve përballë ndërtimeve të paligjshme? Çfarë fsheh Mickoski dhe kë mbron Pançe Toshkovski kur hesht për këtë?”, - u shpreh Ljubica Jançeva nga LSDM.
Ndryshe, dje në Këshillin e Qytetit të Shkupit pati përpjekje për të diskutuar temën e ndërtimeve pa leje, por pika nuk mori asnjë mbështetje për t’u vendosur në rend të ditës.
ERSAN PAJAZITI
