Maqedoni
Kuvend, përplasje për ndryshimet në Qendrën për Menaxhim me Kriza
04.06.2025 16:35
Edhe pse në Komision, propozim-ligji për Qendrën për Menaxhim...

Edhe pse në Komision, propozim-ligji për Qendrën për Menaxhim me Kriza kaloi pa debat, në seancën plenare pati kundërshtime. Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, kërkoi nga VLEN-i të mos e mbështesë, pasi sipas tij, i hiqen kompetencat drejtorit shqiptar të qendrës dhe ato kalojnë te një person i emëruar nga kryeministri, duke centralizuar pushtetin dhe dobësuar përfaqësimin shqiptar.
“Me këtë propozim-ligj kjo kompetencë i merret drejtorit dhe centralizohet gjithçka në kuadër të Qeverisë dhe thotë me shtabin e përgjithshëm të Qendrës me Menaxhimin e Krizave udhëheq personi që do ta propozojë kryeministri, sepse para dy jave VLEN-i ka emëruar drejtor në këtë pozicion dhe ai tash nuk mund të jetë. Kjo është arsyeja edhe pse kanë ndryshuar vendet e drejtorëve aktualë. Unë e kuptoj këtë Qeveri monoetnike, nuk i kuptoj bashkëkombësit e mi. Nga ata kërkoj, që ta kenë parasysh këtë kërkesë. Mos të lejojnë të kalojë ky propozim-ligj, sepse cungon të drejtat e shqiptarëve.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi.
Ka replikuar koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku.
“Këto etiketime nuk kanë vend tani, kur tani në këtë drejtori kemi një shqiptar në krye të saj. Mos e përdorni foltoren për të bërë pikë politike në këtë mënyrë kaq primitive. Keni mundësi me procedurë të bëni amendamente, të bëni ndryshimet e mundshme dhe jo të abuzoni me foltoren këtu.”, - theksoi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
“Ju jeni përgjegjës në këtë shumicë parlamentare! Hapni sytë, lexoni se në çfarë derexhe jeni katandisur! Dje thatë të votojmë shpejt e shpejt ligjin për inspektoratin, sot të votojmë këtë.”, - u shpreh deputeti i FE-së, Blerim Bexheti.
Ndërkohë edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, iu drejtua Skender Rexhepit, të mos bëjë teatër me tema nacionaliste.
“Duhet hequr anash nacionalizmin dhe të mos bëni teatër. T’u shpjegoj se në ligj shkruan se cili person do të delegohet nga ana e kryeministrit. A nuk është për ju logjike që kryeministri të delegojë person që është zëvendësi i tij i parë ose shtabi i krizës gjatë paraqitjes së fatkeqësisë potenciale të udhëheqë, në këtë rast, zotëri Mexhiti?! Kjo është teza e parë. Teza e dytë që thoni ju se bëhet për nacionalizëm, e dini se çdo verë në vend kemi problem me zjarrin dhe lejohet të formohet shtab krize, ku do të marrin pjesë edhe ministra që të pengohet kjo.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Ky propozim-ligj në komision u soll nga deputetët: Bojan Stojanovski, Toni Arevski, Aleksandar Veljanovski dhe Dragana Bojkovska.
ARMEND MURSELI
