Botë
Kuvendi i Kosovës, dështoi për herë të 26-të seanca konstituive
04.06.2025 17:28
Dështoi edhe vazhdimi i 26-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës...

Dështoi edhe vazhdimi i 26-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët e partive opozitare sërish nuk pranuan votim të fshehur për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se opozita po e bllokon konstituimin, me qëllim të moslejimit të krijimit të Qeverisë Kurti tre.
“Qëllimi është të pamundësohet Qeveria Kurti tre. Dhe krahas kësaj ata nuk kanë mundur të deklarohen hapur që janë kundër Qeverisë Kurti tre, nuk kanë mundur të thonë se po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, sepse po na pengon Qeveria Kurti tre, ndonëse kjo dihet, por kanë përdorur forma të tjera të ndryshme, edhe sulme.”, - theksoi Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosja.
Por, opozita e sheh si përgjegjëse për dështimin e konstituimit të Kuvendit, Lëvizjen Vetëvendosje si partia që ka fituar zgjedhjet.
“Kosova vazhdon të jetë e bllokuar, për shkak të kryeneçësisë politike të LVV-së. Sot dështuam sërish t’i konstituojmë institucionet. Vendi është në krizë, ekonomia është në krizë. Është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetveten.”, - theksoi Vlora Çitaku nga PDK.
Qëndrim të ngjashëm me Çitakun kanë edhe dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK. Ndërsa Fatmir Limaj nga Nisma është optimist se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet, por ai vlerëson se fillimisht nevojitet krijimi i shumicës parlamentare.
“Duhet të ketë një marrëveshje politike, e cila do t’i japë Kosovës institucionet, edhe në Parlament edhe në Qeveri.”, - u shpreh Fatmir Limaj nga Nisma.
Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur në konsultim përfaqësuesit e partive politike rreth datës së zgjedhjeve lokale, të cilat sipas preferencës së partive politike duhet të mbahen më 5 tetor, 12 apo 19 tetor 2025.
GYLTENE SINANI
